
Taulant Balla, Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, ka shpërndarë një udhëzim të rëndësishëm për të gjithë bashkatdhetarët shqiptarë të regjistruar si votues nga jashtë për zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Balla thekson rëndësinë e ndjekjes me kujdes të procedurave të dërgesës dhe pranimit të fletës së votimit përmes shërbimit postar DHL. Çdo votues do të njoftohet përmes SMS-it apo email-it të regjistruar gjatë procesit të regjistrimit, lidhur me:
– Mënyrën e mbërritjes së zarfit të votimit
– Datën dhe orarin e dorëzimit të tij
“Ju mund ta caktoni vetë datën dhe orën e dorëzimit sipas agjendës suaj, në linkun që DHL ju ka dërguar. Postieri do të tentojë tre herë të lidhet me ju dhe më pas zarfi do të qëndrojë në zyrën postare deri më 1 Maj,” – thekson Balla, duke nënvizuar se pas kësaj date, zarfi do t’i kthehet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe votimi do të bëhet i pamundur.
Duke e cilësuar votën e diasporës si jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë, ai bën thirrje që çdo qytetar të verifikojë me kujdes SMS-të apo email-et dhe të bashkëpunojë me postierin për të garantuar pjesëmarrjen në këtë proces demokratik.
“Vota juaj është shumë e rëndësishme për #Shqipëria2030, një Shqipëri anëtare e Bashkimit Europian,” – mbyll ai thirrjen e tij, duke ftuar votuesit që në fletën e votimit të zgjedhin numrin 5, Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, për “ta vendosur flamurin kuqezi në oborrin e BE-së.”