
Përballë tensioneve të nxitura nga opozita në Kuvend, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i bëri thirrje diasporës të shohë se çfarë opozite ka në Shqipëri, e cila krijon tensione në një kohë që duhen votuar ndryshimet në kodin zgjedhor.
“Bashkatdhetarë të diasporës, shikoni sa e duan këta votën tuaj. Shikoni sa tremben nga vota juaj. Në fund të kësaj seance do të votojmë për të garantuar votën e diasporës. Edhe 18 ditë kanë mbetur për regjistrim.”
Duke folur nga foltorja e rrethuar prej deputetëve demokratë dhe Gardës së Republikës, Balla e quajti këtë sjellje paralajmërim të humbjes së thellë të PD-së.
“Qetësohuni se me 11 maj do merrni rezultatin më të thellë. Rezultati i pritshëm në zgjedhje do të jetë më i miri. Vota e diasporës është një e drejtë e rëndësishme. E kuptoj shumë mirë frikën që po ndjen opozita se po afron 11 maji.
Rezultati i pritshëm i zgjedhjeve: Ne do marrim rezultatin më të thellë. E kuptoj dhimbjen e opozitës se po afron 11 maji. Në 11 Maj të gjitha rezultatet e tjera do ju duken lule. Me marioneta që betoheshin që do të iknin nga politika nëse do kthehej Sali Berisha. Hajduti ju përdor ju. Ne socialistët do ju mundim si asnjëherë tjetër,” deklaroi Balla.