
Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi një takim falënderues me komunitetin shqiptar në Athinë, në kuadër të një turneu pas fitores së thellë të PS në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Gjatë ndalesës së tij në kryeqytetin grek, Balla u shpreh mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme që diaspora shqiptare në Greqi dhe në mbarë botën i dha Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama.
“Mirënjohje për të gjithë shqiptarët në çdo cep të Greqisë e në çdo anë të globit për mbështetjen e madhe më 11 maj për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste,” shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale nga Athina.
Duke vlerësuar kontributin e pakursyer të shqiptarëve në shoqërinë greke, Balla theksoi se sot ata përfaqësojnë një pjesë thelbësore të punës, ekonomisë, dijes, sportit dhe kulturës së Greqisë. Ai nënvizoi gjithashtu ndryshimin rrënjësor që ka ndodhur në vetëdijen dhe vetëbesimin e komunitetit shqiptar në këtë shtet fqinj.
“Ka mbaruar një herë e mirë koha kur hezitonin të thonin: ‘Jam nga Shqipëria’. Shqipëria ka qenë gjithnjë kryelartë për shqiptarët që jetojnë në Greqi, por sot edhe ata janë kryelartë për Shqipërinë.”
Takimi në Athinë është pjesë e një turi falënderimesh që Taulant Balla po zhvillon me përfaqësues të diasporës shqiptare në disa vende ku jeton një komunitet i madh dhe nga ku pjesëmarrja me votë ishte e madhe në zgjedhjet e fundit.
Fitorja e 11 majit për Partinë Socialiste shënoi një moment historik edhe për përfshirjen e diasporës në vendimmarrjen politike, pas përpjekjes disa vjeçare për të mundësuar votën e emigrantëve shqiptarë nga jashtë vendit.
Balla ka theksuar se kjo mbështetje do të kthehet në përgjegjësi dhe angazhim të drejtpërdrejtë të qeverisë për të fuqizuar më tej lidhjen me diasporën dhe për t’u dhënë atyre zë në vendimmarrjen kombëtare.