
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla reagoi për debatet e nxitura nga opozita në sallë. Ai akuzoi Berishën se gënjen dhe se për shpifjet e tij do të shihen së bashku në gjyq.
“Për ju nuk ka ligje, nuk ka rregulla, për ju drejtësia funksionon kur vepron me kundërshtarin, por është e kapur kur vepron ndaj jush. Keni bërë komente kur drejtësia ka thënë verdiktin përfundimtar, por asnjëherë kur drejtësia është duke hetuar dhe kur prevalon prezumimi i pafajësisë. Po ju jap një rast konkret. Kur SPAK ngrinte akuzë ndaj njërit prej jush, unë isha që kisha bërë kallëzimin. Dhe as unë dhe asnjë koleg nuk bëri një koment.”
Ai e cilësoi Berishën gënjeshtar patologjik që përfiton nga imuniteti që i jep foltorja për të ngritur gënjeshtra pa fund për kryeministrin, familjen e tij dhe ndaj deputetëve socialistë.
“Merri nesër dhe bëj kallëzim në SPAK. Unë ndaj teje kam bërë kallëzim për të gjitha gjërat që kam thënë ndaj teje. Ti të ngre nervat edhe kur të sheh këtë e vërteton drejtësia. Gënjeshtrat mbeten gënjeshtra. Po ke këllqe po të kanë ngel merri ato që thua dhe shko atje. Mos harro që mban përgjegjësi për kallëzim të rremë dhe kjo është arsyeja që ti nuk e bën.”
Lidhur me arkitektin e fushatës së Trump të angazhuar nga PD për fushatën këtu, Balla tha se ai do të thotë çfarëdolloj gjëje sepse është paguar për këtë shërbim.
“Përmendët një zotëri amerikan të cilin e keni marrë me pagesë. Çdo deklarim i zotërisë nuk vlen se është i paguar për këtë punë. Depozitoni kontratën që keni me zotërinë në KQZ se është shpenzim.”
Balla i bëri thirrje opozitës të shkojë nesër në komisionin e ligjeve dhe të enjten në parlament për të votuar ndryshimet e kodit zgjedhor.
“Mos kini frikë nga vota e diasporës, se është një moment historik. Do mundësojmë pagesën e postës. Zgjatja e afatit nuk ju prish asnjë punë. Ta bëjmë 60 ditë, kjo ka shumë rëndësi sa i përket çështjeve që mezi presin.”
Në replikën e dytë me Berishën më pas Balla deklaroi: Do të shihemi në gjyq!
Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla e nisi fjalën e tij sot në seancën e kuvendit me një përshëndetje për popullin, partitë dhe institucionet e Kosovës për zgjedhjet që u vlerësuan nga BE si proces model.