
Grupi Balfin ka hapur në Tiranë dyqanin e parë të markës franceze të veshjeve familjare Kiabi, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri këtë rrjet ndërkombëtar të njohur për çmimet e arsyeshme dhe cilësinë e produkteve.
“Ky hap forcon strategjinë e Grupit Balfin për të rritur sektorin e retail-it përmes prezantimit të markave ndërkombëtare cilësore, duke ofruar më shumë zgjedhje për konsumatorët dhe duke gjeneruar vlerë të re ekonomike e sociale përmes krijimit të vendeve të punës dhe impaktit në komunitet,” shkroi kompania në një postim në LinkedIn.
Dyqani i parë në kryeqytet është i fokusuar tek veshjet për fëmijë, ndërsa planet e Balfin parashikojnë zgjerimin e rrjetit edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Kosovë.
Kiabi është në pronësi të Association Familiale Mulliez, i cili zotëron edhe gjigantin e sportit Decathlon. Aktualisht, marka ka një rrjet prej 640 pikash kontakti në 33 shtete, përfshirë dyqane fizike dhe online.