
BALFIN Group ka përmbyllur me sukses edicionin e pestë të programit “Talent Pool”, një nismë strategjike e dedikuar për zhvillimin e brezit të ri të liderëve brenda grupit, në një kohë kur zgjerimi global dhe konkurrenca në tregjet ndërkombëtare kërkojnë lidership të fortë dhe vizionar.
Lajmi është bërë i ditur nga administratori i BALFIN Group, Samir Mane, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se “Talent Pool” ekziston pikërisht për të ndërtuar aftësitë drejtuese dhe mendësinë globale të profesionistëve që do të udhëheqin kompaninë në vitet e ardhshme.
Gjatë muajve të fundit, pjesëmarrësit e programit kanë ndjekur trajnime intensive, sesione të fokusuara zhvillimi dhe eksperienca ndërkombëtare, të cilat synojnë forcimin e aftësive drejtuese, mendimit strategjik dhe përshtatjes me një treg që ndryshon me ritme të shpejta.
Në përfundim të programit, BALFIN Group ka shprehur vlerësimin për të gjithë pjesëmarrësit, duke u uruar atyre suksese të mëtejshme dhe duke theksuar rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor si një nga shtyllat kryesore të rritjes dhe zhvillimit afatgjatë të grupit.






