
Deputetja e Vlorës dhe njëherësh ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka reaguar pas inaugurimit të sheshit “Adem Jashari” në qytetin e Vlorës, duke e cilësuar këtë akt si një nderim për sakrificën dhe kontributin e familjes Jashari.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ismaili thekson se familja Jashari nuk u shua as nga dhuna dhe as nga sakrifica e madhe, por u shndërrua në simbol të trimërisë dhe atdhedashurisë shqiptare.
“Familjen Jashari nuk mundi ta shuajë as dhuna më çnjerëzore, as sakrifica e 56 jetëve të marra padrejtësisht. Përkundrazi, emri i saj u lartësua ndër vite edhe më shumë, si simbol i trimërisë, dinjitetit, krenarisë dhe atdhedashurisë shqiptare”, shkruan ajo.
Ismaili vlerëson gjithashtu rolin e qytetit të Vlorës gjatë luftës në Kosovë, duke kujtuar se qyteti hapi dyert për të strehuar shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të konfliktit.
“Vlora, qyteti që hapi dyert dhe zemrën për të strehuar vëllezërit e motrat tona nga Kosova në vitet e luftës, sot përkulet me nderim para kësaj sakrifice të jashtëzakonshme, përmes inaugurimit të sheshit ‘Adem Jashari’ në zemër të qytetit”, shprehet ajo.
Deputetja e Vlorës shpreh mirënjohje për Bashkinë dhe Këshillin Bashkiak të Vlorës për këtë vendim, duke theksuar se vlerëson kontributin historik të familjes Jashari për lirinë dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Në fund të reagimit të saj, Ismaili thekson se edhe pse sfidat për shqiptarët vijojnë, historia ka treguar se bashkimi është forca më e madhe.
“Po, Bac… u kry!”, përfundon ajo mesazhin e saj.



