Një 37 vjeçar dhe babai i tij ranë në prangat e policisë së Tiranës pasi në banesë iu gjetën armë zjarri, municion luftarak dhe kokainë
Të arrestuarit janë identifikuar si Renaldo dhe Bajram Zajmi.
Blutë sekuestruan armën e zjarrit, municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në zbatim të planit të masave për kapjen e shtetasve në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me sende të kundërligjshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight”.
Si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R. Z., 37 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe B. Z., 65 vjeç, (babai i shtetasit R.Z), për veprën penale ”Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të dy banues në Tiranë.
Në rrugën “Niko Avramo”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin R. Z., në të cilin kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi të dyshuar lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, me peshë totale rreth 36 gramë.
Ndërsa babai i 37-vjeçarit, shtetasi B. Z., sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të hedh lëndën narkotike në lavaman dhe të hedhë nga ballkoni armën e zjarrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./shqiptarja