Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, ka përcjellë sot një mesazh urimi për të gjithë besimtarët bektashinj, me rastin e Ditës së Ashures, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit bektashian dhe mysliman.

Në mesazhin e tij, Baba Mondi theksoi rëndësinë e kësaj dite për përhapjen e paqes dhe ruajtjen e vlerave njerëzore, duke u bërë thirrje besimtarëve që të angazhohen në vepra të mira dhe të mbrojnë familjen dhe shoqërinë.

“Garoni për vepra të mira dhe nxitoni të shfrytëzoni çdo mundësi për të bërë mirë. Në këtë ditë të shënuar, detyra jonë është të ruajmë njerëzimin, vlerat, familjen, virtytet, mirëqenien shpirtërore dhe mendore”, tha Kryegjyshi Botëror.

Duke iu referuar krizave dhe konflikteve që po tronditin botën, Baba Mondi u lut për paqe dhe ndalimin e luftërave. Ai theksoi se udhëheqësit botërorë kanë për detyrë të promovojnë lirinë, demokracinë dhe bashkëjetesën paqësore.

“Lutemi që njerëzimi të gjejë paqe dhe mirësi, të pushohen konfliktet dhe luftërat dhe të ecim drejt zhvillimit të demokracisë. Sytë tanë duhet të drejtohen drejt lutjeve ndaj Zotit”, u shpreh ai.

Dita e Ashures, sipas Baba Mondit, është një simbol i sakrificës dhe drejtësisë, duke kujtuar qëndrimin heroik të Imam Hysenit përballë tiranisë. Ai inkurajoi agjërimin gjatë muajit Muharrem dhe mbrojtjen e burimeve natyrore, duke kujtuar se çdo krijesë e Zotit është e shenjtë.

“Për Imam Hysenin, vdekja ishte lumturi në krahasim me jetën në tirani. Personi bujar është ai që ndihmon të dëshpëruarit dhe nuk pret ndihmë nga të tjerët”, theksoi Baba Mondi në fjalën e tij.

Kjo ditë festohet në të gjitha teqetë bektashiane në Shqipëri dhe në mbarë botën, ku përgatitet edhe ëmbëlsira tradicionale e Ashures, si simbol i paqes dhe bashkëjetesës mes njerëzve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu