
Tiranë – Partia Demokratike ka njoftuar tërheqjen e plotë nga procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, përmes një deklarate për mediat, ku akuzon mazhorancën për, sipas tij, një “lojë të turpshme” dhe një “farsë politike”.
Berisha theksoi se opozita ka ndjekur që në fillim procesin, duke qenë e bindur për, siç u shpreh ai, intrigat dhe banalitetin e mazhorancës. Sipas kreut të PD-së, pavarësisht deklaratave të mëparshme se procesi do t’i lihej opozitës, mazhoranca ka ndryshuar qëndrim në mënyrë të njëanshme.
“Opozita ka tërhequr të gjitha firmat për të gjitha kandidaturat, përveç atyre që janë përzgjedhur prej nesh,” deklaroi Berisha, duke shtuar se kandidaturat e PD-së për Avokatin e Popullit janë Besim Ndregjoni, Adriana Kalaja, Jola Hysaj, Aranita Brahaj, Haluci dhe Dardan Mustafa.
Sipas tij, mazhoranca ka futur më pas kandidaturën e saj, e cila kishte siguruar firmat brenda listës me 27 kandidatura, por PD ka vendosur t’i tërheqë këto firma. Berisha akuzoi ministrin Ulsi Manja dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës se nuk e njohin tërheqjen e firmave, duke e cilësuar këtë qëndrim si “deklaratë të turpshme”.
“Ne tërhiqemi totalisht nga procesi. Nuk jemi më palë në zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Në një farsë të tillë ne nuk marrim pjesë,” u shpreh Berisha, duke theksuar se PD nuk ka vendosur kushte për një kandidaturë të vetme, por ka paraqitur disa alternativa që, sipas tij, përmbushin standardet.
Kreu i PD-së deklaroi gjithashtu se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë as në votimin në Kuvend për Avokatin e Popullit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se synon të vendosë një person që “nuk ka asnjë lidhje me opozitën”.
“Ky është një turp i tyre dhe një akt i ulët primitiv,” tha Berisha, duke nënvizuar se vendimi i PD-së është përfundimtar dhe se opozita nuk do të jetë pjesë e asaj që ai e cilësoi si një proces të manipuluar.






