Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar lidhur me të drejtën e klientit të tyre për një mbrojtje të barabartë përpara ligjit, duke akuzuar Prokurorinë e Posaçme se po e pengon në ushtrimin e kësaj të drejte.

Sipas avokatëve, Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht SPAK-ut që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e materialeve hetimore që lidhen me çështjen ndaj tij, në mënyrë që të mund të përgatisë mbrojtjen. Por kërkesa është refuzuar, me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar avokatëve të tij në një USB.

“Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, është praktikisht e papërdorshme për të, pasi ai nuk ka akses në pajisje elektronike. As ne nuk kemi mundësi t’ia dërgojmë të gjitha aktet për shkak të volumit të lartë,” thuhet në reagimin e avokatëve.

Ata shtojnë se Prokuroria e Posaçme ka refuzuar gjithashtu kërkesën ligjore të Veliajt për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke theksuar se kjo e drejtë i garantohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokatët e cilësojnë këtë qasje si një trajtim sipas logjikës “në fillim arresto, pastaj heto”, duke e quajtur të papranueshme për një shtet ligjor.

“Erion Veliaj nuk ka mundësi të aksesojë aktet për mbrojtjen e tij, ndërsa i pamundësohet gjithashtu të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për tre mandate radhazi në mënyrë demokratike nga qytetarët e kryeqytetit,” përfundon reagimi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu