
“Makinat elektrike janë të qeta – por truri ynë nuk e ka kuptuar ende qetësinë e tyre!”
Përdorimi i makinave elektrike po rritet ndjeshëm në mbarë botën, duke sjellë një transformim të madh në industrinë automobilistike. Megjithatë, ky revolucion i heshtur ka nxjerrë në pah një fenomen të papritur: gjithnjë e më shumë persona ankohen për simptoma si marramendje dhe të përziera – të njohura ndryshe si “zënie e makinës” – gjatë udhëtimeve me makina elektrike.
Sipas një analize të publikuar nga Corriere della Sera, në vitin 2024, 22% e makinave të reja të shitura në botë ishin elektrike, krahasuar me 18% në vitin 2023. Por ndërsa teknologjia ecën përpara, duket se trupi i njeriut ende nuk ka arritur ta ndjekë ritmin e saj.
Shkencëtarët e lidhin këtë fenomen me atë që quhet “konflikt neurologjik”. Gjatë lëvizjes, truri përpunon sinjale të ndryshme për të kuptuar se çfarë po ndodh: veshi i brendshëm ndien lëvizjen, ndërsa sytë ndjekin ambientin. Në makinat tradicionale, zhurma e motorit, dridhjet dhe ndërrimi i marsheve paralajmërojnë trurin që lëvizja ka filluar – duke ndihmuar trupin të përgatitet. Në makinat elektrike, këto sinjale mungojnë: nuk ka zhurmë motori dhe as dridhje të ndjeshme, çka e vështirëson aftësinë e trurit për të përshtatur trupin me lëvizjen.
Kjo mungesë paralajmërimi shkakton që shumë pasagjerë – sidomos ata të sediljeve të pasme – të përjetojnë lodhje, marramendje dhe të përziera më shpejt gjatë udhëtimit.
Meqenëse makinat elektrike po fitojnë terren gjithnjë e më shumë, ndoshta prodhuesit duhet të eksplorojnë mënyra të reja për t’i rikthyer trurit disa sinjale sensoriale që do ta ndihmonin trupin të përballojë lëvizjen pa zhurmë.