
Bazel, Zvicër – Austria është shpallur fituese e Festivalit Evropian të Këngës 2025, me përfaqësuesin e saj Johannes Pietsch, i njohur me emrin artistik JJ. Kënga fituese, “Wasted Love”, është një baladë operistike që kombinon vokalin e tij të fuqishëm me një ndërthurje moderne. JJ i rritur në Dubai me baba austriak dhe nënë filipinase ka marrë pjesë në versionin britanik të “The Voice” në vitin 2020. Ai u përzgjodh për të përfaqësuar Austrinë përmes një procesi të brendshëm të organizuar nga transmetuesi publik austriak ORF.
Me një total prej 436 pikësh, Austria siguroi vendin e parë në këtë edicion të 69-të të Eurovisionit, duke lënë pas konkurrentë të fortë nga vende si Izraeli në vend të dytë, Suedia dhe Franca. Performanca e JJ u vlerësua për emocionin e thellë dhe interpretimin teknikisht të përsosur, duke e bërë atë një nga momentet më të spikatura të mbrëmjes.
Kjo është hera e tretë që Austria fiton Eurovisionin, pas sukseseve të mëparshme në vitet 1966 dhe 2014.
Grupi shqiptar Shkodra Elektronike u rendit i teti me 218 pikë në Eurovision Song Contest 2025, në Bazel. Të larta ishin pritshmëritë për këngën shqiptare “Zjerm”, duke qenë se pati vlerësime të shumta si online ashtu edhe nga medie të ndryshme evropiane e më gjerë. Nga 37 vende pjesëmarrëse në këtë garë të këngës evropiane, Shqipëria ka marrë pikët më të larta nga juria profesionale e Francës (12 pikë) dhe po ashtu edhe juria profesionale shqiptare votoi maksimalisht këngëtaren franceze. “Zjerm” mori 173 pikë nga vota e publikut.
Shqipëria u paraqit me një performancë dinamike që tërhoqi vëmendjen e publikut evropian. Kënga “Zjerm” ishte një krijim i shkruar dhe interpretuar nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, dy muzikantë shqiptarë të cilët kanë emigruar në Itali. Tek “Zjerm”, ata kanë bërë bashkë elemente të muzikës elektro-pop me motive tradicionale shqiptare.
View this post on Instagram