
Në ditën e dytë të vizitës së saj zyrtare në Athinë, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me Ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias.
Takimi u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit afatgjatë mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dy vende partnere në NATO, që kontribuojnë aktivisht në stabilitetin dhe sigurinë rajonale, europiane dhe më gjerë. Në këtë kontekst, u theksua edhe fakti se Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s në vitin 2027, një ngjarje e rëndësishme për rolin e vendit në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
Ministrja Spiropali vuri në dukje se marrëdhëniet dypalëshe do të vijojnë të zhvillohen mbi baza interesash të përbashkëta strategjike, përmes një agjende konkrete iniciativash me fokus qytetarët e të dy vendeve. Sipas saj, këto marrëdhënie janë udhëhequr historikisht nga perspektiva e përbashkët europiane e Shqipërisë dhe Greqisë.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias theksoi se për Greqinë, Shqipëria mbetet një partner i përkushtuar ndaj vlerave demokratike, sigurisë dhe mbrojtjes europiane. Ai nënvizoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes së dy vendeve, nën koordinimin e NATO-s dhe në kuadër të iniciativave rajonale të mbrojtjes, ku Shqipëria luan një rol domethënës.






