
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me mësuesit shqiptarë në Greqi, ku për herë të parë nis një program mbështetje financiare për 50 mësues, që do të zgjerohet më pas në Greqi, por edhe në shtete të tjera:
Isha duke folur me këtë djalin, babain nga Kuçi, mamanë nga Vranishti, zjarr komplet, zjarr. Ka dhe dy motra! Është si veshka mes dhjamit, një motër më të madhe, një më të vogël.
Me vjen shumë mirë që e materializuam nismën e marrë kur erdhëm herën e kaluar. Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme ambasadoren që i kushtoi një vëmendjen të veçantë kësaj nisme dhe na e lehtësoi punën në mënyrë shumë të ndjeshme edhe patjetër dua të falënderoj zonjat mësuese për angazhimin.
Ky është vetëm fillimi, është vetëm grupi i parë i dallëndysheve që lajmërojnë këtë pranverë të gjuhës shqipe në Greqi dhe sigurisht që ne kemi mësuar shumë nga i gjithë ky proces. E dimë që nuk është thjeshtë çështja e identifikimit dhe regjistrimit të mësuesve dhe pagës së mësuesve nga shteti shqiptar, por ka edhe disa element të tjerë që duhen marrë parasysh dhe duhen adresuar dhe ne do t’i bëjmë këto me bashkëpunim të ngushtë me ju dhe ambicia jonë është që këtë numër të rrisim në mënyrë ndjeshme dhe faktikisht të arrijmë në një nivel që të mos kemi më zonë të pambuluar me mundësinë për të mësuar gjuhën shqipe, ky është objektivi.
Më vjen mirë që në një farë mënyre u shpërblye edhe një mund jo i vogël i shumë prej jush që këtë punë e kanë nisur prej shumë kohësh dhe e kanë bërë më shumë përkushtim edhe patjetër edhe ne sëkëlldira të mëdha edhe në një farë mënyrë përtej shpërblimit është respekti, edhe përtej kontratës është mirënjohja.
Unë e di që mirënjohja e shtetit shqiptar ndaj jush është diçka që ju e vlerësoni në mënyrë të posaçme dhe më vjen mirë që ne sot mund të flasim për diçka të realizuar dhe jo për ça do të bëjmë. Natyrisht që dikush mund të thotë, “po pse u desh kaq kohë”. Sepse të gjitha gjërat tona kanë marrë kohë dhe marrin kohë, pasi trashëgimia ka qenë jashtëzakonisht e rëndë edhe pozicioni ynë ka qenë shumë, shumë i vështirë.
Sot jemi në një pozicion tjetër nuk diskutohet edhe më vjen mirë të them që edhe marrëdhëniet me qeverinë këtu dhe me autoritetet këtu janë në një moment shumë më të mirë se sa ishin. Duhet të jenë akoma edhe më të mira, ne do bëjmë çmos të jenë më të mira, por ajo që është me e rëndësishmja është që ne na është hapur tani një dritare e madhe mundësie që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian dhe aty pastaj do të kalojmë realisht si popull, si komb, si shtet, si shoqëri shqiptare në një nivel tjetër dhe shumë nga gjërat që sot, pavarësisht se shqiptarët në Greqi, në Europë janë integruar ku e ku me çfarë mund të imagjinohej kur erdhën, do të ndryshojë dhe ndjenja e barazisë nuk do të jetë thjeshtë një burimi i vetëdijes që sa shumë gjëra kemi arritur të ndryshojmë për veten, por do të jetë edhe e vulosur zyrtarisht në të qenit anëtar të barabartë të Bashkimit Europian dhe patjetër që duke qenë së bashku me Greqinë në të njëjtën tryezë si të barabartë do të jemi edhe më të fortë si lagje këtu e Ballkanit dhe do mund të bëjmë gjëra edhe më të mira sesa çdo të mund të bënim nëse nuk do të kishim këtë status të ri. Nuk është diçka siç ka qenë që do të vijë në të ardhmen, por është diçka e prekshme që do të jetë rezultat i gjithë këtyre përpjekjeve dhe do të materializohet në pak vitet që vijnë dhe më vjen shumë mirë që punët kanë ardhur kështu, por ne duhet të bëjmë maksimumin që nga ana jonë, mos i lemë asnjë gjë mangët kësaj mundësie historike dhe ta ngremë flamurin kuq e zi në oborrin e shtëpisë së Bashkimit Europian, së bashku me gjithë flamujt e tjerë dhe flamurin e vendit këtu ku ju jeni qytetarë të respektuar sot dhe ku kontribuoni për ekonominë dhe shoqërinë me dinjitet dhe ku meritoni të gjithë admirimin tonë dhe patjetër meritoni të gjithë respektin e shtetit grek.
Faleminderit!