“Puno dhe jeto aty ku ke zemrën”- Fjala e Kryeministrit Edi Rama me bizneset pjesëmarrëse në panair:

Shumë faleminderit!

Më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi ardhur sot së bashku me 120 kompani shqiptare, nga Shqipëria për të sjell këtu në Athinë Shqipërinë e punës dhe për t’iu treguar nga afër konkretisht motrave dhe vëllezërve tanë në Greqi që dje erdhën për të kërkuar një punë të ndershme dhe për të ngritur ekonominë e tyre familjare përmes punës që Shqipëria ka punë për ta.

Më vjen shumë mirë po ashtu që kjo eksperiencë e parë na dha mundësinë edhe në këto pak orë të paradites që të shikojmë se sa të interesuara janë kompanitë e Shqipërisë për të çelur dyert e tyre për shqiptarët e Greqisë dhe nga ana tjetër se edhe nga ana e tyre, shqiptarë këtu në banim, treguan shumë interes edhe deri tani janë lidhur edhe disa kontrata drejtpërdrejtë në stendat e panairit. Është e vetmja rrugë për të carë perden shumë të rëndë dhe të zymtë të disinformimit, të fjalëve që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, të një zymtie të përgjithshme që për fat të keq përcillet nga këneta mediatike e Shqipërisë, ku duket sikur Shqipëria ka vetëm lajme të këqija.

Ndërkohë që në fakt Shqipëria punon. Shqipëria zhvillon dhe zgjeron ekonominë e saj. Shqipëria bëhet gjithnjë e më konkurruese e gjithnjë e më e mirë për ata të cilët duan të jetojnë me punë. Juve që jetoni këtu, dhe që jeni të lidhur me vendin dhe që përpiqeni të ndiqni aktualitetin e vendit jam i bindur që më shumë mërziteni sesa gëzoheni kur merrni lajme nga kanalet e kënetës sonë. Por unë dua t’iu them se nëse i referoheni pasqyrës së realitetit ekonomik dhe social të vendit tonë sot, nuk ka asnjë krahasim më një dekadë më parë kur ne ndërmorëm këtë rrugëtim. Të gjithë ata që thonë që ekonomia e Shqipërisë është më keq, në fakt ose flasin qëllimisht keq për punët në Shqipëri ose nga mungesa e informacionit bëhen përhapës të këtyre fjalëve, në ndërkohë që ka një të dhënë shumë të thjeshtë.

Kur ne morëm detyrën kishte 117 mijë subjekte biznese, sot ka 250 mijë. Pra më shumë sesa 2-fishi, që do të thotë që ekonomia është zgjeruar dhe mundësitë për të bërë biznes janë rritur, nuk janë ulur. Nga ana tjetër kur ne morëm detyrën Shqipëria kishte një prodhim të përgjithshëm kombëtar më pak se 10 miliard euro, sot e ka thuajse 25 miliard euro, dy herë e gjysmë. Kur ne e morëm detyrën Shqipëria kishte të ardhura për frymë rreth 4 mijë euro, sot i ka rreth 10 mijë euro.

Kur ne morëm detyrën, askush nuk kishte kurajon të mendonte se sot paga mesatare në sektorin publik do të shkonte 930 euro, se sot paga mesatare për mësuesit do të ishte 950 euro apo se sot paga mesatare për mjekët do të ishte ku e ku mbi 1 mijë euro. Dhe nga ana tjetër të 120 kompanitë që kanë ardhur këtu sot në fusha të ndryshme që nga turizmi të ndërtimi, që nga farmaceutika tek teknologjia; “ja plasi syri keq”. – bjere, bjere – shih çfarë syri. Kështu do bjeri në tokë syri i bufit të kënetës, po nuk flas për 11 majin se nuk kemi ardhur këtu të bëjmë fushatë elektorale, kemi ardhur këtu për të hapur një traditë dhe dua  t’iu them që ky panair i parë në Athinë do të pasohet nga panairi i dytë në vjeshtë, do të vijmë përsëri dhe do të jemi këmbëngulës sepse të 120 kompanitë që kanë ardhur këtu sot ofrojnë vende pune dhe paga më të mira se sa pagat që fitojnë në të njëjtat vende pune këtu në Greqi.

Dhe sot të gjithë ata që e kanë ndjekur dhe e ndjekin Shqipërinë nga kanalet e kënetës, ku vazhdon zhurma e bretkosave që në Shqipëri 200 mijë lekë, 300 mijë lekë të vjetra, mund të shohin në fakt në sektorin e turizmit dhe para se të hyja këtu po flisja me dikë që punon këtu, sanitare në një hotel ku për 21 dhoma që kishte në përkujdesje merrte 850 euro, ndërkohë që një sanitare për 6 dhoma në bregdetin e Shqipërisë merr 950 euro.

Pa llogaritur ndërtimin, ku në Shqipëri për hir të vërtetës po ndërtohen vepra që në Greqi nuk i gjen, nuk i shef, flas për investimet në Tiranë, flas për kullat e projektuara nga arkitektët më të mirë të botës, flas për hotelet, flas për resortet në bregdet të realizuar nga arkitektët më të mirë të botës dhe flas për kompani shqiptare, të cilat nuk ndërtojnë më vetëm në Shqipëri dhe që sot kanë nevojë të madhe për të pasur krah pune të mbi kualifikuar, gjë që këtu mund të gjendet me siguri.

Ishte një usta që e takuam qëparë në panair që punonte gurin këtu dhe në një njeri që punon gurin prej 30 vjetësh në Greqi patjetër që është mjeshtër i madh dhe u habitëm për faktin se tha që merrte 100 euro në ditë, ai drejtuesi i kompanisë shqiptare i tha: bujrum hajde për të njëjtën pagë tek unë, mirëpo këtu, ia jepnin lekët në dorë edhe ne u habitëm: -Epo mirë ti pa letra, ti pa letra i merr:  Jo tha unë i kam letrat dhe më tregoi kartën e identitet dhe lejen e qëndrimit. E i them: ore këto lekët që merr në dorë do të lenë pa pension, do të lenë pa pension, po lere ore ajo nuk diskutohet. Nejse pra jemi në kushtet sot kur me krenari mund të themi që në Shqipëri kemi një treg pune dhe kemi sektorë që  janë konkurrues me Greqinë. Nuk ka pagë nën 1200 euro për shoferë dhe për shoferë të mjeteve më të rënda paga shkon 2000 e 2500 euro. Flasim për shoferë dhe ky është një realitet që e keni këtu sot, në sallat ku janë stendat e panairit, keni përfaqësuesit e kompanive, kanë kontratat gati për t’i marrë, për t’i nënshkruar. Greqinë këtu e keni, po provojeni njëherë dhe ndryshe, them unë.

Ndërkohë që, ne jemi shumë ambiciozë për më tutje dhe unë kam shumë besim që më e mira është e gjitha përpara për ne, për Shqipërinë. Kemi kaluar një kalvar të gjatë, të ngjashëm me kalvarin e secilit prej jush që keni ardhur në Greqi në vitet ’90 apo më vonë, dhe e keni filluar çdo gjë nga hiçi, duke përballur paragjykime të mëdha, duke përballur situata që do të rrëzonin përtokë edhe një elefant, por jo shqiptarin. Shqiptari nuk rrëzohet. Shqiptari nuk rrëzohet sidomos kur nuk ka rreth e rrotull miq e kushërnj, e parti. Aty bëhet më i fortë. Se këtu ju nuk keni pasur rreth e rrotull asgjë tjetër përveç duarve, zemrës dhe fëmijëve që duheshin rritur me patjetër, dhe sot, unë mund të them që i njëjti ka qenë dhe rrugëtimi i vetë Shqipërisë në raport me Europën, në raport me të huajt, në raport me paragjykimet. Njësoj siç kanë paragjykuar një djalë apo një vajzë, një nënë apo një baba të ri këtu kur ka ardhur në fillim, ashtu kanë paragjykuar Shqipërinë. Njësoj siç e kanë poshtëruar një familje shqiptare këtu në atë kohë, ashtu e kanë poshtëruar Shqipërinë në mënyrë të përsëritur. Por në rastin e Shqipërisë, poshtërimi është për tu diskutuar nëse ka ardhur më shumë nga të huajt, apo ka ardhur më shumë nga vetja, nga brenda, nga ata që është dashur ta përfaqësojnë familjen shqiptare me dinjitet, nga ata që është dashur që… . Ja plasi dhe syri tjetër, dhe po e mendoja, thashë po pse vetëm një sy do t’i plasi?! Tani jemi në rregull. Tani e morëm përfundimisht bekimin e këtij vendi. Të dy sytë do t’i plasin. Është vetëm çështje muajsh, por sot është momenti kur edhe për Shqipërinë, është hapur e njëjta dritare që është hapur për të gjithë ju, shqiptarët e Greqisë, shqiptarët e Europës, sepse na është dhënë mundësia që të shohim derën e fundit të korridorit të gjatë për të hyrë në Bashkimin Europian që është hapur dhe për rrethana të historisë, për rrethana të fatit të përbashkët, yjet tona dhe yjet e Europës janë rreshtuar në vijë të drejtë, dhe siç ne duam të hyjmë në Bashkimin Europian, ashtu dhe Bashkimi Europian do që ne të na bëjë pjesë të vetën.

Kemi një afat kohor që kemi dakordësuar me ta, që brenda vitit 2027 të mbyllim të gjithë procesin e negociatave. Është afati më i shpejtë që i është dhënë ndonjë vendi në historinë e negociatave, jo thjesht sepse ne i kemi bërë dhe po i bëjmë përditë detyrat tona, por dhe sepse ata duan që të kenë Shqipërinë brenda vetes, por ama ky është një moment që nuk do të jetë aty përgjithmonë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë tani, sepse gjërat mund të ndryshojnë. Ne këtu kemi qenë edhe kur i bënim detyrat shumë mirë, dhe ata na dridhnin bishtin. Kështu që, përpara sesa gjërat të ndryshojnë dhe sesa ata të na i dredhin bishtin përsëri, ne na duhet që të hyjmë brenda dhe kur dera të mbyllet dhe të fillojë historia nga e para, ne të jemi të barabartë, anëtarë, me të drejta të njëjta në Bashkimin Europian dhe të ulemi siç uleni ju, siç uleni ju sot, në të njëjtën tryezë me fqinjët grekë. E nuk ju shohin dot më nga lart-poshtë, e nuk ju thonë më me ironi ‘alvanos’, por përkundrazi, të ulemi dhe ne, në të njëjtën tryezë më Greqinë, krah për krah, si dy vende fqinje, si dy vende partnere, si dy vende të barabarta, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj. Jo vetëm me emocion, por edhe me vulë, dhe si ne, si Greqia të jemi bashkë te yjet e verdha të flamurit të Bashkimit Europian dhe ky është momenti. Është moment historik. Është ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë. U ngrit në 1912-tën për tu ndarë nga një perandori që ra dhe për të kaluar nga një vend vasal në një vend të mosvarur, siç shkruan deklarata e Pavarësisë, por në gjithë këto vite të sovranitetit të brendshëm, ne nuk patëm sovranitet të jashtëm, në kuptimin që u pamë dhe u trajtuam si inferiorë është fjalë e butë, por po themi inferiorë, edhe për shkakun tonë, patjetër. Edhe sepse i bëmë vetes gjëra të rënda, dhe sot duke ngritur flamurin shqiptar atje, ne faktikisht këtij sovraniteti i japim dimensionin e lirisë së garantuar përgjithmonë individuale të çdo shqiptari në hapësirën europiane dhe brenda vendit të vetë, të barazisë para ligjit të çdo shqiptari dhe patjetër, të standardeve të garantuara të bashkëjetesës.

Mua më vjen keq për salamandrat dhe zhapikët, se salamandrat dhe zhapikët, ata të vërtetët që rrinë në kënetë, ata kanë disa funksione për të mbajtur ekuilibrin  e ekosistemit. Ata kanë detyra dhe i bëjnë shumë mirë kurse këta që janë njerëz, por që nga pikëpamja njerëzore janë si salamandra dhe janë qenie më të ulëta se salamandrat dhe zhapikët e kënetës. Kështu që unë e di që ata të kënetës së vërtetë nuk na dëgjojnë por një ndjesë për ta e ndjej si detyrim që i krahasoj me ata që po na dëgjojnë. I dëgjoni kur thonë që duhet të iki Partia Socialiste? Duhet të iki Edi Rama sepse i hynë të gjithë ministrat në burg dhe tani e ka rradhën Edi Rama.

Tani, ajo që ka rëndësi që ta ndaj me ju është që ndërkohë pikërisht për atë për të cilën ata thonë që unë dhe ne duhet të ulim kokën, pikërisht për atë unë dhe ne duhet të jemi kryelartë dhe jam kryelartë sepse për herë të parë në histori, që nga 1912 ata që janë të lidhur me pushtetin politik, nuk janë më të paprekshëm sepse për herë të parë që nga 1912,  një pushtet, ky i yni, dorëzoi shpatën e ndëshkimit tek një pushtet tjetër. Deri dje atë shpatë, e mbante pushteti vetë, që nga 1912, në të gjitha regjimet e në të gjitha pushtetet e mëparshme, deri kur ne morëm detyrën, e nuk e morëm detyrën që të rrimë të ngrohim vezë por e morëm detyrën që të bëjmë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, shpata e ndëshkimit ishte në dorën e pushteteve dhe ja ligji, ja Maliqi. Po Maliqi, njësoj si salamandrat dhe zhapikët e vërtetë është ku e ku burrë më i mirë se sa ata që nënkuptohen me emrin e Maliqit dhe çfarë ndodhi? Ndodhi që kurrë, asnjëherë shqiptarët nuk u ndjenë të barabartë përpara ligjit. Ndodhi që duhet të kishte një emër të njohur, ndodhi që duhet të kishte dikë pranë pushtetit, ndodhi që duhet të ishe më i pasur se sa të tjerët, që ligji për ty të mos kishte asnjë vlerë. Ndërkohë që të tjerët u ndjenë të gjithë të poshtëruar.

Sot kjo ka ndryshuar tërësisht sepse ne me vetëdije të plotë kemi dorëzuar shpatën tek pushteti i drejtësisë dhe ndërkohë  kemi vënë në dispozicion dhe organizmin tonë për çdo rast kur drejtësia sheh që duhet të ndërhyjë për të hequr një tumor e për të hequr një tumor tjetër. Vetëm kështu ne mund të luftojmë korrupsionin seriozisht dhe vetëm kështu ne mund të bëhemi të barabartë me të gjithë ata që ende na shohin pak fare, akoma nga distanca e që janë në tryezën e Bashkimit Europian. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër, natyrisht që pastaj ndodh që disa gjëra të mos duken të drejta. Ndodh që disa gjëra të mos bëhen si duhet,  por është një kohë shumë e shkurtër kjo për të gjykuar sepse drejtësia në Shqipëri nuk ka ansjë traditë pavarësie dhe tradita do kohën e vetë, por ne jemi shumë të vendosur që të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë.

Ne jemi shumë të vendosur që t’i durojmë të gjitha dhimbjet e padrejta, nuk ka rëndësi, se kemi marrë misionin të udhëheqim Shqipërinë, nuk kemi marrë ne qeverinë për të gjetur disa vende pune.

Qeveria jonë ka një mision, për të udhëhequr Shqipërinë. Nëse duhet për të gjetur vende pune,janë panairet edhe nepër panaire shkon gjen vende pune. Puna jonë nuk është  një punë si gjithë të tjerat, puna jonë është një mision dhe kush merr përsipër të udhëheqë merr përsipër të mbajë edhe kostot, të durojë dhe dhembjet dhe të shohëobjektivin.

Të gjitha këto që ndodhin do harrohen, do kalojnë por ama ajo që nuk do harrohet kurrë dhe që do mbetet përgjithmonë e shënjuar në historinë tonë, është që në ngritëm për herë të dytë flamurin tonë kombëtar dhe e ngritëm atje nga ku na parë për një kohë të gjatë nga lart poshtë. Nuk ka më nga lart poshtë. Ne do të bëhemi plotësisht të barabartë.

Ju falenderoj shumë dhe ju siguroj që me të vërtetë që më e mira për shqiptarët është vetëm përpara. Sot ne e kemi vetë në dorë fatin tonë.  Deri dje nuk e kishim ne në dorë fatin tonë, e kishin të tjerët ndërkohë që ça patëm ne në dorë, bëmë vetëm dëm, ndërkohë që sot ne e kemi vetë fatin tonë në dorë sepse të tjerët nuk na shohin më si qënie të kategorisë së dytë po e kanë kuptuar që ne e kemi shumë seriozisht dhe që me ne ka një kusht që ne nuk e negociojmë, mund të jenë më të pasur, mund të jenë më të mëdhenj, mund të jenë më të zhvilluar, mund të kenë shumë gjëra por në një gjë ne nuk negociohet; respekt për respekt. Japim respekt, duam respekt ndryshe me ne nuk mund të shkohet më tutje pa u ndalur në çdo moment kur mungon respekti, kështu që këtë e kemi sot siguruar ndërkohë që për ta kthyer në një marrëdhënie të përgjithëhershme dhe të padiskutueshme  na duhet flamuri atje dhe na duhet t’i vëmë vulën një herë e mirë kësaj historie me marrjen e statusit anëtar i BE.

Ju jam shumë mirënjohës që erdhët deri këtu sot. E di që qëlloi pak ters se ishte një fundjavë e gjatë për Greqinë pasi keni edhe një festë këtu edhe nesër prapë e keni pushim. Si quhet kjo festa? Katara eftera?? Ok, agapimu? Faleminderit shumë!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu