
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të Forcës së Posaçme Operacionale të kësaj agjencie deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit të Rinasit. Kujtojmë se nga kjo ngjarje u vra Gilmando Dani, ndërsa mbeti i plagosur rëndë miku i tij, i cili në atë moment ishte shofer në makinë dhe që rezultoi agjent i AMP-së, Muçi Shaljani (Sheqeri).
Po ashtu ka nisur menjëherë një verifikim i brendshëm i procedurave administrative të ndjekura si dhe praktikën e plotë në lidhje me procedurën e rekrutimit të Shaljanit brenda agjencisë. Ky vendim mban firmën e drejtorit aktual, Eduart Merkaj.
Shaljani ishte i punësuar prej shtatorit të këtij viti dhe kishte një kontratë 3-mujore deri në mes të dhjetorit në kohën kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi.
Nga ana tjetër, DSIK, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së bëjnë me dije se Shaljani nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie. Kujtojmë se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e dy plumbave që ka marrë në kokë.
Mendohet se shënjestra e atentatit të ketë qenë shoku i tij, Gilmando Dani, i cili mbeti i vdekur në vend.
Policia ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit për të parë lëvizje të dyshimta për persona të tjerë që mund të kenë qenë informatorë të autorëve. Këta të fundit e kanë pritur viktimën dhe shokun e tij brenda makinës Toyota, të ndaluar pranë rrethrrotullimit.
Hetuesit po verifikojnë të gjitha makinat e tjera apo njerëzit që kalojnë disa herë tek porta dalëse e aeroportit. Në fokus janë ata persona që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo kanë dalë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Gjithsesi deri më tani nuk ka emra konkretë si të dyshuar.
Targat e mjetit të autorëve tip “Toyota” rezultojnë të vjedhura në Greqi vitin e shkuar. Ndërsa makina ende nuk është përcaktuar nëse është e vjedhur apo jo sepse nuk është rikuperuar numri i shasisë për shkak të djegies së makinës.
Autorët, të cilët kanë qenë katër (tre qitës dhe një shofer) kanë ardhur nga zona e Niklës drejt Rinasit, zonë dhe nga janë larguar më pas. Aty kanë djegur makinën e tyre dhe kanë humbur gjurmët./klan







