
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur një natë më parë në Lezhë, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i një berberhaneje. Nga të shtënat me armë zjarri ai u plagos, ndërsa në ambient ndodheshin edhe katër persona të tjerë.
Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, Daci nuk dyshohet të ketë qenë shënjestra e sulmit. Në berberhane ndodhej edhe 21-vjeçari Merando Nikulaj, nip i Ardian Nikulajt, i vrarë dy vite më parë, i cili dyshohet se mund të ketë qenë objektivi i atentatit.
Deri tani, Nikulaj nuk është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërsa policia po kryen kontrolle në disa banesa dhe biznese për lokalizimin e tij. Hetuesit kanë dyshime se i riu mund të ketë mbetur i plagosur, pasi kamerat e sigurisë e shfaqin duke u larguar nga vendi i ngjarjes me vështirësi.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.



