
Prokuroria italiane dhe Antimafia hetojnë përfshirjen e mundshme të Artur Shehut në shpërthimin pranë banesës së gazetarit të “Report”
Hetimet për atentatin ndaj gazetarit të njohur italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ “Report”, po ndjekin edhe një pistë shqiptare.
Sipas të përditshmes italiane “La Repubblica”, në qendër të hetimeve ndodhet Artur Shehu, 58 vjeç, sipërmarrës me origjinë nga Vlora, i konsideruar nga disa dosje hetimore si një figurë me peshë në krimin e organizuar shqiptar.
Jetesa në SHBA dhe lidhjet e dyshuara me organizatat mafioze
Aktualisht Shehu jeton në Miami, Florida, ku prej vitesh mban një profil të ulët publik.
Burime të Drejtorisë Antimafia Italiane (DIA) kanë konfirmuar se është marrë informacion nga Vlora për mundësinë e përfshirjes së tij në shpërthimin e ndodhur më 16 tetor, pranë banesës së Ranuccit në Romë.
Edhe pse për momentin bëhet fjalë për një hipotezë që kërkon verifikim, hetuesit e Drejtorisë Rajonale Antimafia të Romës, të udhëhequr nga prokurorja Ilaria Calò dhe zëvendësi Carlo Villani, po ndjekin me kujdes çdo detaj në bashkëpunim me karabinierët e Frascatit dhe Njësinë Hetimore të Via In Selci.
Pista lidhet me një emision të “Report” për kampet e migrantëve në Shqipëri
Sipas të njëjtit burim, një motiv i mundshëm i atentatit mund të lidhet me emisionin “(Hot) Spot Albanese”, transmetuar më 21 prill 2024 në Raitre, ku Ranucci trajtoi projektin e qendrave të migrantëve që Italia ka ndërtuar në Shqipëri — në Shëngjin dhe Gjadër — në kuadër të marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës.
Në atë emision, Artur Shehu përshkruhej si një trafikant i rëndësishëm droge, i përmendur më herët në hetime ndërkombëtare për lidhje të mundshme me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita.
Emri i Shehut në mediat ndërkombëtare
Emri i Shehut nuk është i panjohur për shtypin ndërkombëtar.
Në mars 2021, gazeta amerikane Miami Herald i kushtoi një artikull të gjatë me titull:
“Nga një vilë në Miami Beach, një burrë me lidhje të dyshuara me mafien ndërton një perandori tregtare në Shqipëri.”
Raporti përshkruante jetën luksoze të Shehut në Alton Road, pranë Biscayne Bay, me një vilë të rrethuar me palma, kopsht të mirëmbajtur dhe automjete luksoze në hyrje.
Hetimet vijojnë në disa pista
Prokuroria italiane po verifikon aktualisht përputhjet mes të dhënave nga Shqipëria dhe lëvizjeve të 58-vjeçarit në SHBA.
Megjithatë, pistat mbi urdhëruesit e atentatit mbeten të shumta, duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve investiguese që “Report” ka zhvilluar ndër vite, shpesh duke prekë interesa të fuqishme ekonomike dhe kriminale.
Burime nga hetimet theksojnë se vëmendja është përqendruar te disa struktura të mafies shqiptare, ndërsa karabinierët vijojnë kërkimet për të zbuluar personat që vendosën eksplozivin, si dhe autorët e një tentative depërtimi në shtëpinë e dytë të gazetarit, që sipas raportimeve ndodhi gjatë verës së kaluar.