Dy ditë pas shpërthimit të fuqishëm që tronditi Sarandën dhe i mori jetën Isuf Jaçajt, policia ende nuk ka identifikuar autorët e atentatit me tritol.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 tetorit, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3 të qytetit bregdetar, ku një sasi lënde plasëse e vendosur në automjetin tip Toyota, në pronësi të viktimës, shkaktoi një shpërthim fatal. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Jaçaj ndodhej brenda mjetit në momentin e shpërthimit dhe humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

RENEA dhe FNSH në operacione kërkimi

Forcat e RENEA-s dhe FNSH-së, në bashkëpunim me Policinë e Sarandës dhe të Vlorës, kanë zhvilluar gjatë 48 orëve të fundit kontrolle intensive në disa zona të jugut të vendit, për të mundësuar identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

E kaluara e viktimës

Isuf Jaçaj, i njohur në zonë edhe me nofkën “Bushi”, kishte një të kaluar me precedent penal, me disa episode dhune dhe tentativa atentatesh që datojnë që prej fillimit të viteve 2000.
qershor 2010, ai mbeti i plagosur pas një konflikti në Sarandë, ndërsa në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri. Në korrik 2022, u arrestua pas një përplasjeje me persona të tjerë, ku u sekuestrua një përforcues grushti dhe një armë zjarri.

Në vitet e fundit, Jaçaj kishte kaluar në aktivitet privat në sektorin e turizmit, duke ofruar shërbime transporti me skaf për turistët në bregdetin e Sarandës.

Hetimet, pistë hakmarrja

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pista kryesore e hetimit lidhet me hakmarrjen, në vijim të një serie ngjarjesh të dhunshme që përfshijnë familjen e viktimës.
Dyshohet se atentati mund të ketë lidhje me ngjarjen e 17 korrikut 2025, ku djali i viktimës, Klaus Jaçaj (31 vjeç), aktualisht nën arrest për “përkrahje të autorit të krimit”, u përfshi në një konflikt të armatosur në Sarandë, ku mbetën të plagosur dy persona.

Vetëm pak ditë më vonë, më 21 korrik 2025, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi lëndë plasëse në automjetin e Klaus Jaçajt, duke e shkatërruar plotësisht – ngjarje që gjithashtu mbeti pa autorë.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Ngjarja e Sarandës mbetet një nga atentatet më të rëndë të muajve të fundit në jug të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu