Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur paraditen e sotme lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër. Objektiv i atentatit ka qenë Enea Busukja, 38 vjeç, punonjës i Hetimit Tatimor në qytet.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 11:35, në momentin kur Busukja ka ndezur automjetin e tij. Si pasojë e shpërthimit, ai ka mbetur i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës.

Nga hetimet paraprake, tritoli është vendosur në makinën e parkuar të viktimës, e cila ka shpërthyer menjëherë pas ndezjes.

Ndërkohë, pak pas ngjarjes, policia ka zbuluar një makinë të djegur në fshatin Dragoç, e cila po verifikohet nëse është përdorur nga autorët e atentatit. Mjeti është plotësisht i shkrumbuar dhe po i nënshtrohet ekspertizës për të përcaktuar pronësinë dhe lidhjen e mundshme me ngjarjen.

Burime nga hetimet thonë se pista kryesore lidhet me detyrën e Busukjas si inspektor në Hetimin Tatimor, megjithatë hetimet po vijojnë edhe në drejtime të tjera.

Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu