Policia e Shtetit ka dhënë detajet e para zyrtare për atentatin e ndodhur paraditen e sotme në Lushnjë, ku shënjestër ka qenë 45-vjeçari Julian Sula, i njohur në botën e krimit si “Juli i Pashkos”.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit të qytetit, ku Sula dyshohet se është qëlluar me armë zjarri dhe është plagosur në këmbë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

> “Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në afërsi të fshatit Lifaj është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se i përket autorëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave,” – njofton Policia.

 

Kush është Julian Sula?

Julian Sula është emër i njohur për autoritetet, i konsideruar person me precedentë të theksuar dhe me rrezikshmëri të lartë.

Në tetor 2017, ai u mor në pyetje si i dyshuar për përfshirje në atentatin që tronditi Lushnjën, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi dhe u plagosën dy të tjerë. Sula u vetëdorëzua në polici duke mohuar lidhjen me ngjarjen.

Në qershor 2016, ai u plagos rëndë me thika nga Arian dhe Xhino Alico, ndërsa në vendngjarje ishin edhe Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, dhe Sajmo Xheliu.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu