Autorët të cilët ditën e djeshme qëlluan me breshëri në drejtim të Julian Sulës, 45 vjeç në Lushnjë ende nuk janë gjetur.

Policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve të cilat kanë fokusuar momentin e ngjarjes.

Sipas policisë, dy persona kanë dalë nga makina të cilën e kishin parkuar në kthesën e rrugës “Misto Mame”.

Ata mbanin maska të zeza në fytyrë dhe kapele. Sapo panë makinën tip “BMW” me të cilën udhëtonte Sula, ata zbritën nga mjeti dhe qëlluan, njëri me kallashnikov e tjetri me pistoletë. Dalja e tyre ka qenë me vonesë pasi makina e shënjestrës ka kaluar me shpejtësi.

Mesa duket 45-vjeçari i ka parë atentatorët dhe i ka dhënë shpejtesi makinës duke i shpëtuar mrekullisht plumbave.

Atentati ka zgjatur vetëm 10 sekonda. 6 plumba kanë prekur makinën e Sulës ndërsa një plumb e ka fshikur në këmbë.

Pas kësaj autorët dogjën makinën se bashku me armët në fshatin Lifaj. Ndërsa Julian Sula fillimisht shkoi në lokalin e tij në Karbunarë dhe më pas në shtëpi. Ka qëndruar disa minuta dhe më pas shkoi të mjekonte këmbën në spital.

Deri tani policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 18 persona në lidhje me ngjarjen por edhe të afërm të 45-vjeçarit.

Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e narkotikëve, bizneset dhe perfshirjen në politikë.

Juluan Sula ishte një person i cili prej 2 vitesh lëvizte lirshëm në Lushnjë madje edhe në këmbë.

Mjetet që ai përdorte ishin herë të blinduara dhe herë jo. Ai është një person i njohur për policinë pasi është ndaluar për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtin të punonjësve të policisë./vizion plus

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu