Ish-kryeministri Sali Berisha doli sot nga SPAK ku dha dëshmi për ngjarjet e 21 janarit 2011, duke lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë së sotme, Partisë Socialiste dhe kreut të SPAK, Altin Dumani. Berisha deklaroi se thirrja ndaj tij ishte “procedurë normale”, por e përdorur politikisht për të devijuar vëmendjen nga skandalet e qeverisë.

“Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar”

Berisha hodhi poshtë çdo pretendim se nga ana e tij ose e qeverisë së asaj kohe është dhënë ndonjë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve:
“Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër.”

Ai rrëfeu se Lulzim Basha dhe drejtues të Gardës i kishin kërkuar të evakuohej, pasi “xhamat e zyrës ishin thyer nga plumbat apo gurët”, por ai e refuzoi me argumentin se ishte në detyrë:
“Unë isha në detyrë. Kjo është zyra ime. Kryeministri nuk lëviz sipas qejfit. Kam qëndruar aty deri në fund.”

Berisha shtoi se ka pasur ndërmjetësim ndërkombëtar dhe se çdo oficer i kërkuar nga prokuroria e atëhershme është paraqitur, por në gjendje të lirë:
“Ina Rama dhe Edi Rama kërkonin të eliminonin zinxhirin e komandës. Të gjitha të tjerat janë mashtrime.”

“PS kishte axhendë dhune – kjo është deklaruar dhe nga SHBA”

Berisha tha se vetë autoritetet ndërkombëtare dhe qeveria e SHBA kanë deklaruar se protesta e 21 janarit ishte organizuar me axhendë dhune nga Partia Socialiste:
“PS kishte axhendë dhune. Këtë e kanë thënë dhe e kanë ri-thënë ndërkombëtarët. Kjo është e vërteta.”

Sipas tij, pikërisht kjo ishte arsyeja pse ai nuk ishte thirrur më parë për dëshmi:
“Mosthirrja flet më shumë se çdo gjë tjetër. Edi Rama organizoi protestën më të dhunshme në historinë e vendit.”

Akuza për Altin Dumanin

Berisha sulmoi ashpër kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke e akuzuar se ka lidhje të papërcaktuara me persona të implikuar në çështje të tjera:
“E gjeta Dumanin duke pirë kafe me atë që i mori 5 milionë euro, Kreshnik Farrukun.”

Ai tha se institucionet e drejtësisë janë kthyer në “instrument propagande të qeverisë”.

“SPAK përdori thirrjen time për propagandë”

Berisha denoncoi publikimin e njoftimit për thirrjen e tij, duke thënë se mediat e morën vesh përpara se të njoftohej vetë ai:

“Procedurë diskrete u kthye në akt propagande. Ia shpërndanë mediave para se të më njoftonin mua.”

Sipas tij, kjo u bë për të mbuluar debatet për “50 milionë eurot e Llogarasë” dhe çështje të tjera që ai i cilësoi si skandale të qeverisë.

Berisha-gazetarëve: Urdhri për të qëlluar është në mendjen tuaj dhe të atyre që trillojnë
Pyetje: Në dijeni tuaj, cili është roli i gardistit Agron Malaj që më pas u shpërblye nga qeveria me poste.
Sali Berisha: Pavarësisht nga teoritë konspirative unë nuk kam dijeni se ai të ketë bërë një vepër të qëllimshme. Unë di të ketë deklaruar në prokurori se, nuk ka pasur urdhër të qëllojë dhe mesa di unë, nuk e kam njohur kurrë, ai ka qenë komandant i grupit të zjarrit. Se çfarë quajnë ata grup zjarri nuk e kam të qartë shumë, por ai ka qenë komandant i tyre dhe thotë që nuk ka patur urdhër.
Pyetje: Ndrea Prendi një ditë pas protestës doli me sy të nxirrë.
Sali Berisha: Më mirë së kushdo tjetër çfarë ka ndodhur e shpjegon secili person që ka përjetuar. Ndrea Prendi ka qenë në krye të detyrës gjatë gjithë ditës dhe në vlerësimin tim, ai ka bërë të pamundurën që të përmbushë detyrimet ligjore të tij.
Pyetje: Kush e dha urdhrin për të qëlluar me fishekë luftarakë dhe jo manovër.
Sali Berisha: Ai urdhër është në mendjen tuaj, se ka dhënë njeri, të garantoj…
Pyetje: Ka një audio, keni një koment.
Sali Berisha: Ai urdhër është në mendjen tuaj dhe të atyre që trillojnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu