
Zgjedhjet e pjesshme lokale të mbajtura në pesë bashki të vendit ditën e djeshme, më 9 nëntor, nuk sollën surpriza: Partia Socialiste ka siguruar një fitore të thellë 5 me 0.
Vlorë
Në Vlorë, ku u regjistrua edhe pjesëmarrja më e ulët në shkallë vendi me vetëm 12.5% të votuesve, fitoren e thellë e siguroi kandidatja e Partisë Socialiste, Brunilda Mersini.
Ajo mori 78.88% të votave, që përkthehet në 15 mijë e 672 vota, duke lënë pas kandidatët e pavarur Dionis Sota me 11.68% (2 mijë e 333 vota) dhe Gjergji Nika me 9.88% (1 mijë e 975 vota).
Në këtë bashki, Partia Demokratike shënon një rënie prej 13.52% krahasuar me zgjedhjet e 11 majit, ndërsa PS regjistron një rritje prej 19%.

Cërrik
Edhe në Cërrik, rezultati ka qenë në favor të PS-së. Kandidati socialist Florenc Doka fitoi me 66.22% (6 mijë e 201 vota), duke lënë pas kandidatin e mbështetur nga PD, Amarildo Hoxha, me 1 mijë e 888 vota, dhe Eligert Himën nga “Shqipëria Bëhet” me 1 mijë e 275 vota. Krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, PS rritet me 6.72%, ndërsa PD humbet 9.14% të mbështetjes.

Berat
Në Berat, diferenca mes kandidatëve ishte edhe më e thellë. Socialisti Ervin Ceca siguroi 13 mijë e 050 vota ose 83.35%, përballë Pavlo Shkarpës, kandidatit të mbështetur nga PD, i cili mori vetëm 2 mijë e 607 vota (16.65%). Krahasuar me zgjedhjet e majit, PS rritet me 28%, ndërsa PD pëson një tkurrje prej 16.75%.

Tepelenë
Në Tepelenë, ku për herë të parë u testua numërimi paralel i votave me Inteligjencë Artificiale, kandidati socialist Gramos Sako fitoi me 77.85% (3 mijë e 261 vota). Rivali i tij, i mbështetur nga opozita, Gabriel Guma, mori 928 vota. PS shënon një rritje prej 9.5%, ndërsa PD një rënie të lehtë prej 1%.

Mat
Procesi i numërimit ka përfunduar edhe në Mat. Kandidati socialist Altin Bojini ka fituar bindshëm me 66.54% (7 mijë e 425 vota), ndërsa kandidati i pavarur i mbështetur nga PD, Eduart Brahilika, ka marrë 28.54% (3 mijë e 184 vota). Kandidatja e pavarur Suzana Pasha, e cila garoi kundër partisë së saj, PS, ka marrë deri më tani 4.92% (549 vota).

Në total, pjesëmarrja kombëtare në zgjedhjet e pjesshme arriti vetëm 18.45% të 334 mijë e 539 votuesve me të drejtë vote. Rekordin më të lartë e mbajti Bashkia e Matit me 39.36% pjesëmarrje, e ndjekur nga Tepelena (34.63%), Cërriku (25%), Berati (19.98%), ndërsa Vlora regjistroi nivelin më të ulët me vetëm 12.54%./klan







