Pas triumfit 3-1 në miqësoren e Shqipërisë ndaj Azerbajxhanit, Kristjan Asllani ka dhënë një intervistë për SportMediaset në Itali, ku ndër të tjera ka folur edhe për përballjen me “të kaltrit” në 15 qershor në Dortmund.
Asllani ka zbuluar se mezi e pret përballjen me Italinë, teksa është shprehur se kuqezinjtë e Sylvinhos janë gati të bëjnë gjithçka në fushë për të thyer të gjitha parashikimet.
“Jemi në një grup të fortë dhe nuk na llogaritin, por ne kemi arritur këtu me meritë, duke djersitur shumë. Po punojmë shumë për të bërë të tjera surpriza, duke nisur nga ndeshja me Italinë, të cilën mezi e pres. Kam folur shpesh me shokët e mi te Interi për këtë përballje. Tani kam luajtur dy ndeshje miqësore të plota dhe kam ritmin e duhur në këmbë. Jemi gati të bëjmë maksimumin në fushë”,u shpreh Asllani.
Emri i mesfushorit shqiptar është lakuar shpesh në merkaton e kësaj vere, megjithatë Asllani i ka idetë e qarta dhe këtë e konfirmon për median italiane.
“Te Interi më kanë ndihmuar shumë dhe këtë sezon kam marrë më shumë minuta. Jam rritur shumë dhe po punoj për t’u përmirësuar edhe më shumë. Nuk do të largohem nga Interi, pavarësisht zërave të merkatos”, theksoi mesfushori shqiptar. Supersport