
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë dhe të rinj, ku ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ndikimin që ky proces pritet të ketë në jetën e qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se, edhe pse shumë shqiptarë ndihen sikur janë pjesë e Europës për shkak të lëvizjes së lirë, realiteti është ndryshe pasi vendi ende nuk është anëtar i BE-së dhe nuk gëzon të drejta të barabarta.
Ai u ndal veçanërisht te studentët, duke theksuar se aktualisht ata trajtohen si të huaj në vendet e BE-së, paguajnë tarifa më të larta dhe nuk kanë të njëjtat mundësi si qytetarët europianë.
“Kur kaloni kufirin, jeni të huaj. Trajtoheni ndryshe dhe paguani më shumë. Por nëse Shqipëria bëhet pjesë e BE-së, kjo do të ndryshojë. Do të jeni në Varshavë si në Tiranë, pa u ndjerë të huaj dhe me të drejtë për të kërkuar punë në çdo qytet europian”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se procesi i integrimit është kompleks dhe kërkon kohë, ndërsa theksoi se përfitimet e anëtarësimit do të jenë të drejtpërdrejta për çdo qytetar, veçanërisht për brezin e ri.
Në fund, ai nënvizoi se Shqipërisë “nuk i ka buzëqeshur fati” në këtë rrugë, por përpjekja për anëtarësim mbetet një objektiv me ndikim të madh për të ardhmen e vendit.



