
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania”, gjatë ndeshjes Shqipëri–Serbi, ku një tifoz u shoqërua nga policia për shkak të një bluze me stampën e UÇK-së.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha e ka cilësuar ngjarjen si një akt të shëmtuar dhe antidemokratik, duke akuzuar qeverinë Rama për vasalitet dhe shtypje të simboleve kombëtare.
“As në Beograd nuk ndodh! E nxjerrin tifozin nga stadiumi se kishte një bluzë me stampë të UÇK! Dënoj me neveri një akt të tillë të shëmtuar, antidemokratik, prej vasali të Edi Ramës dhe narko-regjimit të tij!”, deklaroi Berisha.
Reagimi vjen pas një denoncimi të publikuar nga një qytetar, i njohur si “tifozi dixhital”, i cili pretendon se miku i tij u largua nga stadiumi vetëm për shkak të bluzës me mbishkrimin “UÇK” – një simbol historik për shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë.
“Dhe kjo nuk ndodhi në ndonjë vend të huaj, por në zemër të Shqipërisë, nga policia shqiptare, nën qeverisjen e Edi Ramës!”, thuhet në mesazhin drejtuar Berishës.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.