Legjislatura e re nuk është konstituuar as në tentativën e tretë. Të shtunën, deputetët e miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve dhe e bënë betimin, por shumica nuk e mbështeti propozimin e Vetëvendosjes për ta zgjedhur Albulena Haxhiu për kryeparlamentare. Kundër votuan deputetët e LDK-së, ata të Nismës abstenuan, ndërkaq deputetët e PDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe nuk morën pjesë në votim. Tentimi i radhës për konstituim do të bëhet të hënën
Një pengesë e krijuar që nga e marta, është kaluar të shtunën, por është krijuar një e re, peng i së cilës ka mbetur konstituimi i legjislaturës së re.

Seanca konstituive u bllokua sërish, pas dështimit dy herë radhazi për ta zgjedhur Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Seanca u shty për të hënën.

Paraprakisht, për t’i dhënë fund ngërçit që u krijua nga e marta me votimin kundër të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, kryesuesi i seancës Avni Dehari i ftoi përfaqësuesit politikë në një takim 30 minuta para seancës.

Aty u morën vesh që Komisioni i njëjtë ta hartojë sërish raportin.

Verifikimi i mandateve nuk zgjati shumë, por kthimi i partisë fituese në seancë u bë tek pas një ore dhe kur nisi t’u humbte durimi disa deputetëve.

Pas kthimit në seancë kryesuesi i Komisionit ad-hoc, Artan Abrashi, bëri rekomandimin.

“Komisioni ka konstatuar vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës sipas vendimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Andaj, Komisioni mbështetur në dokumentacionin e KQZ-së, i rekomandon seancës konstituive, me vota unanime të anëtarëve të Komisionit të përfaqësuar nga subjektet politike në Kuvend, që t’i vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë me Rregulloren e Kuvendit”, ka thënë ai.

Partitë deri tash në opozitë ndërruan qëndrimin për ta mbështetur raportin, meqë thanë se dorëheqjet e anëtarëve të qeverisë që i kërkonin paraprakisht, u evidentuan në procesverbalin e mbledhjes së Komisionit.

“Dorëheqja është evidentuar saktësisht siç kemi thënë ne, pra individualisht, në procesverbalin e takimit. Kjo na ka krijuar mundësi që të procedojmë përpara dhe ta votojmë raportin”, ka thënë deputeti Memli Krasniqi, i cili është kryetar i Partisë Demokratike (PDK)

E, kur raporti u hodh në votim druhej mes grupeve parlamentare se s’do t’i qëndronin fjalës.

Kësisoj edhe ngritja e duarve sidomos e deputetëve të LVV-së u bë tek pasi u siguruan që partitë kundërshtuese deri tash, do të votonin pro, pasi që përfaqësues të Vetëvendosjes shprehën qëndrimin se nëse nuk ka unanimitet, nuk votojnë për verifikimin e mandateve të atyre që vetë i kishin refuzuar.

Raporti kaloi.

Por, pas vendimmarrjes, deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, tha se përmendja e opsionit të zgjedhjeve për ka kaluar ngërçin, ka bërë që opozita të ndërrojë mendje dhe të jetë e gatshme ta votojë raportin e verifikimit të mandateve, megjithatë opsionin e zgjedhjeve i pari e ka përmendur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Opozita ka dëshmuar se kauza e tyre nuk ka qenë e drejtë. Duket se opsioni i zgjedhjeve ka bërë opozitën ta ndërrojë mendjen. S’ka ndodh diçka ndryshe se ajo më 15 prill”, ka thënë Kërçeli.

Pas votimit të raportit, radha i erdhi betimit të deputetëve.

Kryesuesi Dehari e lexoi tekstin, ndërsa ligjvënësit u betuan në fund, përveç atyre të Listës Serbe që refuzuan të thërrasin “betohem”, për çka deputeti nga Vetëvendosje Dimal Basha kërkoi që as të mos u pranoheshin mandatet. Edhe nënshkrimin e tekstit të betimit “për të punuar në interes të Kosovës dhe për t’u angazhuar në respektimin e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe mbrojtjen integritetit territorial”, deputetët e Listës Serbe u siguruan ta vendosin jashtë sallës plenare, për të mos u kapur nga kamerat.

Pas betimit Kuvendi erdhi në pikën e zgjedhjes së kryetarit. Ashtu siç i takon me Kushtetutë, propozimin e bëri Lëvizja Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendose për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës e propozon zonjën Albulena Haxhiu”, tha në foltore kryeparlamentari i legjislaturës paraprake, deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca.

Nga 61 vota sa nevojiten, pro zgjedhjes votuan 57 deputetë, 48 të LVV-së dhe 9 të komuniteteve.

Kundër votuan 20 deputetët e LDK-së dhe abstenuan 3 deputetët e Nismës.

Ndërkaq, në votim nuk morën pjesë deputetët e PDK-së, ata të Listës Serbe, Duda Balje dhe Adem Hoxha.

Kryesuesi thirri pauzë 15-minutëshe.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se dështimi për të kaluar kandidatura e Haxhiut, është tregues edhe për bllokadën në konstituimin e Kuvendit, që është krijuar që nga e marta.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shumicën parlamentare dhe kjo është arsyeja e bllokadës që ka ndodhur deri sot. Ne shpresojmë që kjo bllokadë të mos vazhdojë edhe pse e vërteta është që propozimi për kryetarin e Kuvendit i takon Grupit Parlamentar me numrin më të madh të deputetëve, por kjo nuk është obligative për deputetët, këdo që ata e propozojnë. As në të kaluarën nuk ka ndodhur ashtu, e as tash”, ka thënë Krasniqi.

Para votimit në herën e dytë, Vetëvendosja mori një premtim për të siguruar votat e mjaftueshme, për kryeparlamentarin.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, theksoi se nëse do të kandidoheshin ndonjëra nga dy deputetet e LVV-së, vota e pesë ligjvënësve të kësaj partie do të ishte për.

“Personalisht nëse do të ishin kandidatë për kryetarë këto deputete në LVV, Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi, i votoj edhe AAK-ja i voton”, ka thënë Haradinaj para mediave.

Vetëvendosja nuk e ndryshoi kandidatin. Deputetët e kësaj partie u kthyen në sallë dhe subjektit politik iu dha sërish mundësia për propozim.

“Për shkak se nuk janë arritur votat e nevojshme, detyrohemi që për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ta përsërisim procedurën”, u shpreh kryesuesi Dehari.

LVV sërish bëri propozimin e njëjtë.

“Të nderuar kolegë, propozimi ynë është padyshim i njëjti dhe kjo është një e drejtë e partisë fituese të cilën e kodifikon Kushtetuta e Kosovës. Ju kisha lutur si kolegë që ta mbështetni këtë propozim sepse kështu nuk bëheni pjesë e bllokimit të funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës”, tha Konjufca.

Pothuajse ngjashëm u votua edhe herën e dytë dhe zgjedhja e Haxhiut për kryeparlamentare sërish dështoi.

“Propozimi nuk kalon. Seanca ndërpritet për 48 orë. Shihemi të hënën në orën 15:00”, tha kryesuesi Dehari, tek i ndërpreu punimet e seancës konstituive.

E, vet deputetja Haxhiu, e cila është ministre në detyrë e Drejtësisë, ka thënë se emri i saj do të vazhdojë që ajo të jetë e propozuar për kryeparlamentare, edhe në tentativat e radhës për ta konstituuar Kuvendin.

“Kuvendi nuk mund konstituohet pa u zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe gjithë nënkryetarët. Ne ishim të gatshëm të vazhdojmë me procedurat e mëtejme, por duket se opozita po e mban të bllokuar Kuvendin, sepse nuk e mbështeten propozimin e vetëvendosjes. Prandaj, i përket Vetëvendosjes ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë”, ka thënë ajo.

Në Kushtetutë e as në Rregulloren e Kuvendit nuk përcaktohet se sa herë ka të drejtë partia fituese e zgjedhjeve të propozojë emrin e kandidatit për kryeparlamentar. Por, pa zgjedhjen e tij e edhe të nënkryetarëve, legjislatura e re nuk konsiderohet e konstituuar.

Tek pas konstituimit, i hapet rrugë formimit të qeverisë së re, për të cilën Vetëvendosja nuk i ka siguruar votat ende.

Por, sinjale për zgjatje të ngërçit ka dhënë ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, i cili është deputet i LVV-së. Mes dy votimeve për kryeparlamentarin, ai ka kërkuar nga partitë opozitare që të votonin për Haxhiun, meqë tha se në të kundërtën me muaj do të zgjasë seanca konstituive.

“E drejta për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar. I bëj thirrje opozitës që të mos e vonojnë këtë pikë pasi kryetari i Kuvendit i takon ekskluzivisht Vetëvendosjes”, ka thënë Peci. “Është në dorën e tyre ta aprovojnë propozimin e Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit. Në të kundërt, nuk ka opsion tjetër”, ka theksuar ai, duke thënë se Vetëvendosja do ta përseris të njëjtën kandidaturë derisa të marrë votat e nevojshme.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së ka lënë të hapur mundësinë për votimin e ndonjë kandidati tjetër për kryeparlamentar nga radhët e LVV-së, duke thënë se kjo parti duhet të provojë ndonjë kandidat më konsensual.

Ndërkaq, tek ka folur për qeverinë, ai ka insistuar se LVV-ja nuk i ka numrat dhe se në rast se do të dështojë, PDK-ja është e gatshme ta bëjë.

“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti, garantuese e rendit kushtetues dhe zë i fuqishëm i interesit qytetar. E përkushtuar ndaj demokracisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit, PDK mbetet e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e një qeverie të re profesionale, me Kryeministër Bedri Hamzën, dhe me objektiva të qarta për të kthyer shtetin në binarët e duhur të zhvillimit dhe integrimit – në rast se mandatari i parë dështon në sigurimin e shumicës parlamentare, siç u dëshmua qartazi edhe sot”, ka theksuar Krasniqi. “Ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur. Përgjegjësia e parë, por jo e përhershme, bie mbi koalicionin LVV-Guxo-Alternativa, i cili duhet ta trajtojë këtë moment me seriozitetin që kërkon situata politike dhe nevoja e vendit për stabilitet”.

E, në Lidhjen Demokratike (LDK) kanë shprehur qëndrim më të ngurtë sa i takon votimit.

Hykmete Bajrami, e cila do ta drejtojë grupin parlamentar të kësaj partie, ka thënë se LDK nuk ka votë për cilindo kandidat që e propozon LVV-ja.

“Nuk kemi ne kandidat të pranueshëm nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (për kryeparlamentar v.j.). Nëse ata nuk i kanë 61 vota në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të proceduar me zgjedhjen e kryetarit, ata faktikisht nuk i kanë votat as për qeverinë e Republikës ë Kosovës. Duhet ata t’i japin zgjidhje situatës”, ka theksuar Bajrami.

Por, përkundër që nuk mori pjesë në votimin për kryeparlamentarin, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, shprehu bindjen se ngërçi nuk do të jetë i gjatë.

“Kosova tani ka Parlament dhe deputetë dhe ata do të gjejnë rrugë për hapa të tjerë. Kemi hy në fazën e konstituimit të Kuvendit dhe besoj që shumë shpejt edhe këto pjesë tjera do të përfundojnë dhe sipas ligjit dhe Kushtetutës të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria”, ka thënë Limaj, i cili ka shprehur gatishmërinë të bashkëqeverisë me LVV-në.

LVV-ja ka siguruar 48 mandate në Kuvend. Ajo ka siguruar mbështetjen edhe të 9 prej 11 deputetëve të partive nga radhët e komuniteteve joshumicë, përjashtuar të atyre të Listës Serbe me të cilët nuk ka realizuar ndonjë komunikim. Ndërkaq, edhe shumicën nuk ka arritur ta sigurojë as me tre deputetët e Nismës. Kësisoj, për t’i siguruar së paku 61 vota në Kuvend i duhet së paku mbështetja edhe e një deputeti./Koha ditore

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu