
Artur Bibe, një nga gazetarët shqiptarë më të angazhuar në vatrat e krizave globale, ndodhet sërish pranë një tjetër fronti tensioni: kufiri mes Izraelit dhe Jordanisë. Pas raportimeve nga lufta në Ukrainë dhe pasojave tragjike të tërmetit në Turqi, ai kthehet në Lindjen e Mesme, aty ku ishte edhe pas shpërthimit të konfliktit tetorin e vitit 2023, xhirime gjatë të cilave rrezikoi edhe jetën duke u gjendur nën plumbat e ushtarëve izraelitë që i ngatërruan për palestinezë të infiltruar nga kufiri me Gazën.
Me kamera në dorë dhe përmes videoselfie, Bibe rrëfen në vetë të parë realitetin në terren, duke dokumentuar gjithçka has përgjatë udhëtimit. “Pas meje janë shumë shtetas izraelitë, të cilët kanë zgjedhur këtë pikë kalimi për t’u kthyer në atdhe,” dëshmon ai. “Kur i pyetëm pse, na thanë: ‘Sepse jemi më të sigurt në Izrael’.”
Me hapësirën ajrore të bllokuar dhe transportin ajror të paralizuar, rruga tokësore përmes Jordanisë është kthyer në korridorin e vetëm për kthimin në Izrael. Një popull i përgatitur që në djep për luftë, izraeliti e di mirë se ka vetëm një detyrë kur atdheu thërret, të kthehet dhe të presë mobilizmimin nën armë.
Ndaj qindra e mijëra njerëz lëvizin drejt kufirit jo për të ikur, por për t’u kthyer në vendin që sot përballet me sulme balistike dhe kërcënime bërthamore nga Irani.
Artur Bibe nuk është thjesht një vëzhgues, ai është dëshmitar, narrator dhe pjesë e historisë që dokumenton. Me zërin e tij, pamjet nga vendngjarja dhe rrëfimin e drejtpërdrejtë, ai sjell realitetin ashtu siç është: pa filtër, pa distancë, pa frikë. Një front i ri, një dëshmi tjetër nga një gazetar ndër të rrallët shqiptar për të mos thënë i vetmi që shkon atje ku ndodhin gjërat, pa u mburrur dhe jo për t’u dukur.
Dhe sigurisht jo falë kompanisë mediatike për të cilën punon si korrespondent, që sigurisht paratë do i investonte për të bërë show prima donna Duma apo ndonjë xhaketë me kravatë që e zotëron në përsosmëri artin e servilizmit ndaj shefit të radhës. Por siç mëson AIA.AL Bibe angazhohet së pari falë kurajos së madhe, dhe punës së tij si pjesë edhe mediave ndërkombëtare në Athinë, lidhjeve të duhura dhe një karriere të gjatë në gazetari.
Artur Bibe për raportimet e tij të guximshme është nderuar edhe me çmime prestigjioze.