Arsimi profesional në vend po shënon përparime të dukshme, pasi rreth 60% e të diplomuarve punësohen brenda një viti pas përfundimit të shkollës. Të dhënat u bënë publike nga zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, gjatë Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ku u prezantuan masat për fillimin e vitit të ri shkollor 2025–2026 në arsimin profesional.

“Ne mund t’ju japim, një pyetje të përgjithshme, sa është numri i të punësuarve të cilën unë e referova, në arsim profesional, pra 63% që janë të punësuar deri në një vit pas diplomimit, jua dhashë shifrat, 18% prej tyre shkojnë në arsim të lartë dhe pjesa tjetër që janë ende në kërkim të një pune. Sektori i hoteleri turizmit, duke qenë se ka një kërkesë shumë të lartë të tregut, punës për aftësinë në këtë sektor ka punësimin më të lartë, është mbi 80%. Në nivel të përgjithshëm, siç ju thashë është 63%”, tha zëvëndësministrja e Ekonomisë.

Manjani shtoi se për vitin shkollor 2025-2026, në programin DUAL, ku nxënësit ndjekin dy ditë teori dhe tre ditë praktikë në bashkëpunim me biznese private, janë regjistruar 360 nxënës, nga 222 që ishin vitin e kaluar. Megjithatë, këto shifra nuk e bindën opozitën. Përfaqësues të Partisë Demokratike u shprehën se arsimi profesional në Shqipëri vijon të jetë i stigmatizuar, ndërsa pretendojnë se të dhënat për punësim nuk pasqyrojnë realitetin në terren.

“Në shkollën Petro Sota, në degën shpim, shfrytëzim, kërkim nafte. Interesi i të gjithë fëmijëve ka vajtur në zero. Ka rënë interesi i fëmijëve shqiptarë, në përgjithësi, por në veçanti për Fierin, po flas si një zonë naftëmbajtëse, si një zonë që ka me dhjetëra, qindra, mijëra të punësuar, që nuk vlejnë për të qenë në atë sektor”, tha deputeti demokrat.

Edhe Partia e Lirisë ngriti shqetësime të ngjashme, duke theksuar mungesën e interesit të të rinjve për degët bujqësore.

“ Por kjo ndodh dhe për një arsye, sepse duke qenë se nuk financohet nga buxheti i shtetit, bujqësia IPARD, fondet e Bashkimit Evropian. Në qoftë se bujqit sot do duhet t ka një sërë taksash, në qoftë se kemi bllokim nga Kroacia, në vende të tjera të produkteve shqiptare, sepse nuk incentivohet prodhimi vendas, normal që ai s’iu, pse do stimulohet ai që të shkojë për të, për t’u edukuar për bujqësi, që kështu kjo duhet parë si një problematikë shumë e madhe, e cila padyshim që vjen nga mosbuxhetimi dhe nga politikat e qeverisë”, tha Erisa Xhixho, deputete e PL.

Aktualisht, në Shqipëri veprojnë 30 institucione publike që ofrojnë arsim profesional./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu