
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) sqaroi se bllokimi i rrugës në dalje të Tunelit të Llogarasë gjatë ditës së sotme u krye në kuadër të masave të sigurisë për punimet që po zhvillohen në rrugët lidhëse.
Sipas njoftimit, shpërthimi i planifikuar u realizua rreth orës 12:30, në prani të Policisë së Shtetit, me qëllim menaxhimin e qarkullimit. Rruga u bllokua për rreth 20 minuta për shkak të trafikut minimal në këtë periudhë, ndërsa pas pastrimit të zonës lëvizja e mjeteve vijoi normalisht.
Punimet janë pjesë e projektit për rehabilitimin e rrugës ekzistuese në një gjatësi prej rreth 1 kilometër, nga dalja e tunelit në anën e Palasës deri në kryqëzimin me rrugën e re Palasë–Dhërmi. Aktualisht po punohet për zgjerimin e aksit dhe ndërtimin e një segmenti të ri prej rreth 600 metrash.
ARRSH thekson se gjatë gërmimeve, kur haset material i fortë shkëmbor, është i domosdoshëm përdorimi i shpërthimeve me sasi të vogla eksplozivi. Parashikohet që të realizohen edhe 5–6 shpërthime të tjera, ndërsa shpërthimi i radhës mund të kryhet të mërkurën.
Autoriteti bëri të ditur se punimet po vijojnë me ritme të larta për të përfunduar përpara sezonit veror dhe falënderoi qytetarët për mirëkuptimin.



