
Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu është arrestuar nën akuzën e korrupsionit dhe terrorizmit. İmamoglu u ndalua pas kontrollit në shtëpinë e tij. Janë lëshuar urdhra arresti ndaj 100 personave të tjerë, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë. Akuzat variojnë nga korrupsioni te terrorizmi.
Imamoglu i Partisë Republikane Popullore (CHP), përballet me dy hetime të veçanta që përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash.
Në një video të postuar në X para se të arrestohej nga forcat e rendit, Imamoglu, kryebashkiak në mandatin e tij të dytë dhe një kundërshtar i fortë i presidentit turk Erdogan, tha: “Qindra oficerë policie u shfaqën në derën time dhe hynë në shtëpinë time. Unë kam besim te kombi im. Ne po përballemi me një tirani të madhe. Por dua ta dini se nuk do të dorëzohem”.
Sipas një deklarate të prokurorisë së Stambollit për hetimin e parë, gjithsej 100 persona, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë, dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në lidhje me tenderat e caktuar të dhënë nga bashkia. Në hetimin e dytë përfshihet Imamoglu dhe gjashtë të tjerë për ndihmë ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet një organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.
Ndalimi erdhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit anuloi diplomën e Imamoglut, me pretendimin se është false. Sipas universitetit, diploma përmban “gabime të dukshme”. Diploma nga Universiteti Amerikan Girne (GAU) në Qipron Veriore e lejoi atë të regjistrohej në Universitetin e Stambollit në vitin 1990, por që mund të mos konsiderohet e vlefshme në Turqi.
Kjo lëvizje vjen gjithashtu disa ditë përpara se Partia Popullore Republikane (CHP) kryesore e opozitës të planifikojë të mbajë zgjedhjet paraprake, ku Imamoglu pritej të zgjidhej si kandidati i saj presidencial.
Marrja e diplomës universitare është një nga kërkesat për të kandiduar për president të Republikës dhe Imamoglu kishte shpallur tashmë synimin e tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Kryebashkiaku i Stambollit e quajti të paligjshëm vendimin e universitetit, duke argumentuar se bordi drejtues nuk kishte të drejtë të anulonte diplomën dhe një vendim i tillë i takonte vetëm “Bordit të Drejtorëve të Administrimit të Biznesit”, fakultetit ku ai studionte.
“Po afrojnë ditët kur ata që morën këtë vendim do të mbajnë përgjegjësi përpara historisë dhe drejtësisë. Marshi i kombit tonë, i etur për drejtësi, ligj dhe demokraci, nuk mund të ndalet”, shkroi Imamoglu në një mesazh në X pak orë përpara se policia të bastiste shtëpinë e tij.
Pas ndalimit të Imamoglu, guvernatori i Stambollit pezulloi të drejtën për të demonstruar në qytet deri më 23 mars “për të ruajtur rendin publik”. Sipas vëzhguesit të internetit NetBlocks, qasja në X, YouTube, Instagram dhe TikTok është kufizuar në vend.
Imamoglu u zgjodh kryetar bashkie në 2019 dhe përsëri në 2024. Votimi i ardhshëm presidencial është planifikuar për në vitin 2028, por disa analistë thonë se Erdogan mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme, të cilat do ta lejojnë atë të anashkalojë kufijtë e mandatit./shqiptarja