Një 31-vjeçar me shtetësi etiopiane dhe rezident në Mbretërinë e Bashkuar është arrestuar në flagrancë nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me FRONTEX, ndërsa tentonte të kalonte ilegalisht një grup emigrantësh drejt Greqisë.

 

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, në zonën e njohur si Katajeto, pranë piramidës 74, në kufirin e gjelbër me shtetin grek. Gjatë operacionit, policia ndaloi 7 shtetas me origjinë nga Etiopia, të cilët po tentonin kalimin e paligjshëm të kufirit, të shoqëruar nga Finan Kibrom, 31 vjeç. Ky i fundit dyshohet se kishte marrë përsipër organizimin e kalimit të tyre, kundrejt përfitimit financiar.

 

Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, ky është rasti i dytë në të cilin 31-vjeçari është përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Ai dyshohet se udhëtonte nga Greqia drejt Shqipërisë nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, merrte kontakt paraprak me grupin, dhe më pas i drejtonte drejt kufirit të gjelbër për kalimin në këmbë. Në rast suksesi, një automjet taksi i priste në anën tjetër të kufirit për të vazhduar rrugën në brendësi të territorit grek.

 

Finan Kibrom u arrestua për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, sipas nenit 298 të Kodit Penal.

 

Ndërkohë, 7 emigrantët e ndaluar do të procedohen sipas ligjeve shqiptare për emigracionin dhe pritet të deportohen në vendin e tyre të origjinës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu