Një mjek 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj kryeinfermieres së spitalit ku punonin të dy.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 ndaluan shtetasin J. H., mjek gjinekolog, pas kallëzimit të kryeinfermieres 60-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur pas një kundërshtimi profesional lidhur me zbatimin e protokollit mjekësor për një paciente të shtruar në Materniteti Mbretëresha Geraldinë.

Burime policore bëjnë me dije se pas përplasjes verbale, mjeku e ka kapur për fyti kryeinfermieren gjatë orarit të punës. Viktima ka depozituar kallëzim menjëherë, ndërsa uniformat blu kanë ndërhyrë duke kryer arrestimin.

Mësohet se mjeku njihej si problematik në institucion dhe ndaj tij ishin vendosur më herët disa masa disiplinore, të cilat ishin anuluar në gjykatë. Aktualisht, ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu