
Maqedonia e Veriut arreston ish-ministrin për tragjedinë e Koçanit
Maqedonia e Veriut arreston ish-ministrin për tragjedinë e Koçanit
Klubi i natës “Pulse” në Koçan pas zjarrit që ra aty në orët e para të së dielës.
Një gjykatë në Maqedoninë e Veriut të hënën në mbrëmje urdhëroi ndalimin për 48 orë të ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe shtatë të tjerëve, ndërsa vazhdojnë ende hetimet për zjarrin që ra në një klub nate në qytetin e Koçanit dhe ku mbetën të vdekur 59 persona.
Së bashku me Bekteshin, Gjykata Themelore në Koçan caktoi ndalimin e ish-shefit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, dhe të ish-shefit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti.
Prokuroria e Shtetit po heton Bekteshin lidhur me licencën e klubit të natës “Pulse” në Koçan, i cili mori flakë në orët e para të mëngjesit të së dielës.
View this post on Instagram
Në një nga tragjeditë më të rënda që goditi vendin me pak më pak se 2 milionë banorë, të paktën 59 njerëz vdiqën dhe 155 u shtruan në spital pasi klubi i natës mori flak gjatë një koncerti hip-hop të mbushur me njerëz.
Autoritetet dyshojnë se licenca e klubit të natës, e cila e lejonte atë të qëndronte hapur pas mesnatës, e cila u lëshua më 13 mars të vitit të kaluar, ishte falsifikuar ose lëshuar në mënyrë korruptive.
Autoritetet kanë zbuluar se ndërkohë që ekziston një dokument licence me vulë dhe nënshkrime origjinale të ministrisë, ai nuk gjendet në regjistrin qendror të licencave.
Bekteshi drejtoi Ministrinë e Ekonomisë nga viti 2017 deri në qershor 2024, kur është dhënë licenca problematike e klubit.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toskovski tha të hënën se, së bashku me prokurorinë, ata janë duke hetuar disa institucione, duke përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe të Punëve të Brendshme, Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Inspektoratin e Punës, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe organe të tjera që kishin autoritet për të nënshkruar dokumente që lejuan funksionimin e klubit.
“Publiku do të tmerrohet… kur të shohë shumat për të cilat janë lëshuar dokumente të caktuara, në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe rregulloret që kanë të bëjnë me gjithçka që ka të bëjë me funksionimin normal të një klubi kabareje apo klubi nate”, u tha Toskovski gazetarëve.
Ai tha se prokuroria tashmë ka identifikuar rreth 20 të dyshuar dhe se numri i të dyshuarve mund të rritet.
Prokuroria bëri të ditur të martën se për të dhënë informacion është thirrur edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili dha dorëheqjen të hënën. Për momentin, ai nuk është i dyshuar./Reporter.al