Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se në Maqedoninë e Veriut është arrestuar një shtetas kosovar, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
“Fjala është për zotin Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha MPJD-ja.
Arrestimi u krye në pikëkalimin kufitar Jaznicë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
MPJD tha se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut është duke u angazhuar në këtë rast dhe autoritetet po punojnë për të siguruar lirimin e shpejt të Blerim Ramadanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.
Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuza për krime lufte./rel