Ish-kryetari i Bashkisë së Romës, Gianni Alemanno, u arrestua mbrëmjen e 31 dhjetorit 2024 për shkelje të vendimit të gjykatës që e dënonte me punë të detyruar në shërbim të komunitetit.
Alemanno, i cili shërbeu si kryebashkiak i Romës nga viti 2008 deri në 2013, ishte dënuar më parë me gjashtë vite burg për korrupsion, si pjesë e skandalit “Mafia e Kryeqytetit”, që zbuloi infiltrimin mafioz në administratën e kryeqytetit italian.
Në atë kohë, ai u shpall fajtor për përfshirje në një rrjet të gjerë korrupsioni, ku ishin të përfshirë kriminelë, biznesmenë dhe politikanë që kishin korruptuar bashkinë e Romës.
Arrestimi i fundit i Alemannos vjen si pasojë e mosrespektimit të vendimit të gjykatës për kryerjen e punës së detyruar, duke çuar në ndalimin e tij nga autoritetet italiane.