
Himarë – Një 45-vjeçar nga Tirana, me detyrë inxhinier teknik në një firmë ndërtimi që po kryen punime në zonën e Palasës, është arrestuar në flagrancë nga Policia e Himarës, pas dyshimeve për ndotje mjedisore në zonën bregdetare.
Shtetasi I. N., u vu në pranga nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, pasi nga hetimet paraprake rezultoi se më datë 05.04.2025, kishte lejuar derdhjen në det të ujërave me përbërje të panjohur nga kantieri ndërtimor.
Derdhja e këtyre ujërave në gjirin e Dhralesë ka shkaktuar ndotje dhe pasoja të dukshme në ekuilibrin ekologjik të zonës, e cila është një ndër më të frekuentuarat nga turistët gjatë sezonit veror.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale.