Një person është arrestuar sot në Prishtinë nën dyshimin për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile, gjatë luftës në Kosovë.

Arrestimi është kryer në mëngjesin e së martës nga Policia e Kosovës, konkretisht nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“I dyshuari me inicialet R.M., sipas hetimeve paraprake, dyshohet se në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, thuhet në njoftimin e përbashkët nga PSRK dhe Policia e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, gjatë fazës hetimore janë siguruar prova materiale, duke përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve të kësaj masakre.

Tutje theksohet se brenda afateve ligjore, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Departamenti Special./rtklive

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu