Autoritetet amerikane kanë arrestuar djalin e regjisorit legjendar të Hollivudit, Rob Reiner, në lidhje me vrasjen e dyfishtë që tronditi Los Angeles-in. Reineri, 78 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Michele, 68 vjeçe, u gjetën të pajetë në banesën e tyre në lagjen elitare Brentwood, ndërsa hetimet tashmë kanë marrë një kthesë të fortë.

Sipas burimeve policore, arrestimi i djalit është kryer pas mbledhjes së provave paraprake, të cilat e lidhin atë me ngjarjen e rëndë. Hetuesit nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi motivin apo mënyrën e kryerjes së krimit, por konfirmojnë se çështja po trajtohet si vrasje e qëllimshme.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 15:38 me orën lokale, kur shërbimet e emergjencës u thirrën për ndihmë mjekësore në banesën e çiftit. Me mbërritjen në vendngjarje, të dy u shpallën të vdekur, ndërsa trupat e pajetë qëndruan në shtëpi për disa orë, në pritje të procedurave hetimore dhe mjekësisë ligjore.

Policia e Los Angeles-it (LAPD) ka bërë të ditur se hetimet janë në vijim intensiv, ndërsa pritet që në orët dhe ditët në vazhdim të publikohet edhe raporti i autopsisë, i cili do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në botën e kinemasë dhe opinionin publik, ndërsa arrestimi i djalit të regjisorit e bën çështjen edhe më dramatike dhe të ndjeshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu