
Vlorë – Vijojnë hetimet për ngjarjen tronditëse të ndodhur një ditë më parë në lagjen “Kushtrimi”, ku një 17-vjeçare u vetëplagos rëndë me armë zjarri në një tentativë për vetëvrasje. E reja ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Komisariati i Policisë Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, është vënë në pranga babai i të miturës, shtetasi S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë. Ai akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, pasi dyshohet se e bija ka ndërmarrë aktin ekstrem në një gjendje të rënduar psikologjike, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj.
Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe gjyshi i 17-vjeçares, shtetasi P. H., 76 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se arma e zjarrit me të cilën u plagos e mitura ka qenë në posedim të paligjshëm nga ana e tij.
Policia vijon punën për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes, si dhe për dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të këtij rasti të rëndë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme hetimore.