Një grup kriminal i përbërë nga 14 shtetas është goditur në Korçë. Grupi ushtronte veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në afërsi të shkollave dhe në ambiente që frekuentohen nga të rinjtë.

Policia ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 3 pjesëtarë të këtij grupi dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë. Në pranga ranë Donadel Agolli 31 vjeç, Redion Gjata 33 vjeç, Sajmir Suvaria 33 vjeç.

yacht hotel sarande

Po ashtu gjatë periudhës hetimore janë hetuar në gjendje të lirë 9 pjesëtarët e tjerë të grupit.

“Si rezultat i një hetimi 1-vjeçar të kryer me metoda proaktive, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në zbatim të masave të megaoperacionit të koduar “Tempulli”, u finalizua operacioni policor i koduar “Break”. Në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit:

D. A. 31 vjeç, S. S., 33 vjeç, të dy banues në Korçë dhe R. Gj., 33 vjeç, banues në Bilisht.

Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasve K. L. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga veprimet hetimore të kryera gjatë një viti, dyshohet se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë edhe 9 shtetas të tjerë, për të cilët ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Nga hetimet ka rezultuar së këta shtetas shpërndanin lëndën narkotike, në afërsi të shkollave dhe në ambjente që frekuentoheshin nga të rinjtë, në qytetin e Korçës dhe të Bilishtit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 180 gramë kokainë, 40 gramë cannabis sativa, 1 peshore elektronike, 2 automjete, 13 celularë, 1000 euro dhe 30 000 lekë”, njofton policia.

Specialistët për hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë shtetasve të përfshirë./vizionplus

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu