
Kryeministri Edi Rama komentoi sërish arrestimin e Erion Veliajt në rubrikën ‘Sy m’sy’. Në një lidhje live me komentuesit, shefi i qeverisë u ndal në ndryshimin mes të dyshuarit dhe të pandehurit.
“Herët si gjithmonë sepse bëj atë stërvitjen e trupit”, kështu e nisi sot rubrikën e tij “Sy m’Sy” kryeministri Edi Rama. Pa vonuar, ai u ndal tek masa e caktuar të Mërkurën në GJKKO ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Rama theksoi se Veliaj është në statusin e të dyshuarit me prova të pamjaftueshme, jo të pandehurit!
Kreu i qeverisë shtoi se është pikërisht kjo arsyeja pse ai dhe Partia Socialiste kanë këtë qëndrim ndaj institucionit ligjor, për rastin konkret.
“Study history” ka thënë Churchill, aty gjenden sekretet e shtetbërjes. Tani ky ishte mendimi i parë sa kam hapur sytë. Jeni të sigurt që e dinë të gjithë që jemi në këtë diskutim prej 3 ditësh, ndryshimi mes të dyshuarit dhe të pandehurit?!
Rama tha se kryebashkiaku i Tiranës nuk është i pandehur dhe vetë prokurori nuk i ka provat për të kërkuar nisjen e gjyqit.
“I dyshuari është dikush për të cilin edhe vetë Prokuroria nuk i ka provat e mjaftueshme për të kërkuar burgosjen e tij. Pra, ky person ka bërë një dy tre dhe për këtë kërkoj dënim. I pandehuri është dikush që prokurori shkon në gjykatë dhe i thotë kam këto prova, fillo gjyqin. Pra ka mbledhur provat, nuk është e bindur për provat, kjo i dyshuari. I pandehuri është me prova.
A e dini ju që kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është i pandehur? Pra vetë prokuroria nuk është i gatshëm të kërkojë gjyqin, por ka dyshime të arsyeshme sipas tij, që nuk i ka ato prova”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se pa të dhe forcën e tij politike nuk ka SPAK dhe shigjetoi opozitën, duke thënë se bufi i kënetës (Sali Berisha), kërkon ta shkrijë.
Kryeministri Rama shtoi se nuk po i bën presion SPAK për arrestimin e Erion Veliajt, por po bën një kërkesë legjitime për standarde demokratike.
“A ju duket normale një kryetar bashkie në detyrë, të merret nga zyra dhe të çohet në burg pa gjyq, sepse ka dyshime. Sado të mëdha të jenë, por të pamjaftueshme për të ngritur akuzë para gjykatësve. Si mund të quhet ky sulm ndaj SPAK apo trysni ndaj gjykatës që të ngresh një problem që është kaq parimor, që ka të bëjë me kërkesën më legjitime në botë për një kryeministër, për udhëheqësin e një shumice qeverisës, aq më tepër për mua si udhëheqës i një force që i ka dhënë jetë SPAK. Mos të bëj unë një kërkesë legjitime për standarde demokratike. Jo për të ushtruar presion, por për standarde.”
“Nuk jam unë që i kundërshtoj ndaj SPAK, siç kanë vënë kujën të tjerët. Por statusi i Erjonit deri tani dhe provave të pretenduara. Në këtë pikë qëndrimi ynë nuk ndryshon, është e qartë. Por deri tani në dosje, në asnjë paragraf të vetëm, unë s’e kam lexuar dosjen, më jepni një paragraf, apo provë që për prokurorin është e arsyeshme për ta ulur në gjyq, që kryetari i bashkiës ka vepruar në thyerje të ligjit. Apo raste të tjera kur kemi vepruar për heqjen e imunitetit në Kuvend, për t’i dhënë SPAK mundësi për ndonjë anëtar të parlamentit”, shpjegoi ai, duke vënë theksin te mosekzistenca e provave në rastin e kryebashkiakut.
Kryeministri Edi Rama duke komentuar arrestimin e Erion Veliajt tha përdori një shprehje siç ai tha të ‘tironsve’ që shprehen se u ‘njohëm cik si shumë’. Kreu i qeverisë tha se të zgjedhurit nuk janë mish për top për një pushtet që u ndalon atyre kontratën me qytetarët që i kanë votuar.
“Trysni nga gjykatës si mund të quhet kur bëj një kërkesë legjitime për standardet demokratike. Ku thonë tironsit: U njohëm një cikë si shumë”.
Për çfarë janë të zgjedhurit, mish për top? Për një pushtet që e ndjeka veten aq të fuqishëm sa të ndërprerë kontratën e kryebashkiakut me qytetarët kur nuk ka as prova për gjyq, kush e drejton Tiranën? Kush? Dikush ka thënë një herë, prokurori ka të drejtë edhe të çmendet, por ekuilibrin mes palëve e mban gjyqtari, dhe në reformën në drejtësi vendosëm figurën e panjohur më parë të gjykatësit paraprak.
Këtu na është bërë gjykata si stërspeciale që rrit peshën e dënimit.
Edhe në kohën e sulltanëve gjyqtari ishte mbi opinionin e mbi sulltanin”. tha Rama. /Klan, Balkanweb, Shqiptarja