Teksa Kuvendi pritet të votojë sot për kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku, reagime kanë ardhur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Në një prononcim për News24, Komisioni Europian theksoi se nuk komenton çështje që janë ende në proces, por nënvizoi se i takon Parlamentit të Shqipërisë të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetëve.

“Ne nuk komentojmë për çështje që janë ende në proces. I takon Parlamentit të Shqipërisë të trajtojë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij”, thuhet në reagimin e Komisionit Europian.

Ndërkohë edhe Ambasada Britanike në Tiranë reagoi përmes një deklarate publike, ku thekson rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Në reagim nënvizohet se Shqipëria ka bërë progres në reformën në drejtësi që prej vitit 2016, përfshirë krijimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas ambasadës, imuniteti parlamentar duhet të shërbejë për mbrojtjen e proceseve demokratike, por nuk duhet të përdoret si pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.

Deklaratat vijnë në një moment kur Kuvendi është përfshirë në një debat të fortë politik mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut. Mazhoranca socialiste ka paralajmëruar se do të votojë kundër autorizimit, ndërsa opozita kërkon miratimin e kërkesës së prokurorisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu