
Një operacion i përbashkët mes Prokurorisë Speciale të Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Inspektoratit Policor ka çuar sot në arrestimin e një zyrtari policor nën dyshimet për spiunazh.
I arrestuari është Bojan Jevtiq, zëvendëskomandant në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, nga komuniteti serb. Ai dyshohet se ka transmetuar informacione të klasifikuara tek agjencitë serbe të inteligjencës.
Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale, operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, detaje të tjera do të bëhen publike pas përfundimit të fazës operacionale.
Pamjet e arrestimit të Jevtiq janë publikuar nga media vendase, ndërkohë që ky rast vjen pas disa arrestimeve të tjera të ngjashme në muajt e fundit. Një prej rasteve më të përfolura ishte ai i Hysri Selimit, i ndaluar për veprën penale të spiunazhit.
Prokuroria ka theksuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjet në fuqi, ndërsa organet e sigurisë vazhdojnë monitorimin për të zbuluar rrjete të mundshme të spiunazhit në territorin e Kosovës.