Tiranë, 13 janar 2026 – I burgosuri Altin Ndoci, 34 vjeç, i cili vuante dënimin në burgun e Durrësit, është arratisur paraditen e sotme nga Spitali Infektiv, ku ndodhej i shtruar nën masa sigurie.

Ndoci, me origjinë nga Puka dhe banues në Tiranë, është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë, për shkak të një historie të gjatë arrestimesh dhe hetimesh penale, që përfshijnë trafik droge, grabitje dhe ngjarje të rënda kriminale në qytetet e Durrësit dhe Fierit.

Ai u bë i njohur për publikun pas dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë, i cili zbardhi lidhjet e tij me vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, si edhe me ekzekutimin e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë më 2 mars 2020.

Sipas burimeve policore, Altin Ndoci ka pasur lidhje të ngushta me grupe kriminale që veprojnë kryesisht në zonën e Pukës, si edhe marrëdhënie shoqërore me persona të tjerë të përfshirë në krime të rënda. Mes tyre përmendet edhe Arben Muço, i arrestuar në vitin 2018 për tentativë grabitjeje me armë në Fier.

Ndoci dyshohet gjithashtu se ka qenë i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale, ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Arben Muço, ndërsa persona të tjerë të grupit arritën të largohen.

Gjatë hetimeve të zhvilluara ndër vite, policia ka sekuestruar prova të shumta që lidhen me aktivitetin e tij kriminal, përfshirë automjete të braktisura, gjurmë gishtash dhe njolla gjaku, të cilat e lidhin Ndocin me disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale të regjistruara në Durrës dhe Tiranë.

Autoritetet kanë nisur një operacion kërkimi për kapjen e tij, ndërsa po hetohen edhe rrethanat dhe përgjegjësitë për arratisjen nga struktura shëndetësore nën masa sigurie.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu