
Familjarët e të arratisurit nga burgu i Shënkollit, Daut Laze që jetojnë në zonën e Astirit në Tiranë shprehen se nuk kanë dijeni se ku ndodhet ai pasi nuk kanë pasur asnjë kontakt me të që në momentin që janë njoftuar për arratisjen.
E pyetur nga gazetarët, nëna e Lazes ka mohuar që të ketë pasur ndonjëlloj kontakti me të birin pas arratisjes së këtij të fundit nga burgu i Shënkollit.
“Nuk kemi asnjë haber fare, por të kisha do të thosha”, është shprehur e ëma e Lazes.
Pas lajmërimit të largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit, Komisariati nr. 6 ka marrë menjëherë kontakt me familjen, në kërkim të informacioneve më të plota për vendndodhje të mundshme.
I arrestuar prej Nëntorit të vitit 2021 për veprën penale “Dhunë në familje”, Daut Laze ndodhej në burgun e Shënkollit me vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila në Nëntor të 2024 ka caktuar ndaj tij masën “mjekim i detyruar në një institucion mjekësorë” siç mund ta shihni dhe në këtë dokument.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij, Drejtoria e Burgjeve po bashkëpunon me Policinë e Shtetit. Kjo e fundit ka njoftuar se për kapjen e tij është vënë në dispozicion një shpërblim në vlerën e 10 mijë Eurove, për këdo që jep informacion për vendodhjen e 49-vjeçarit./tvklan