
Zhvillime të rëndësishme janë shënuar në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit, ku është arritur një armëpushim i përkohshëm dyjavor, ndërsa ka rifilluar edhe trafiku detar në ngushticën strategjike të Hormuzit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar pezullimin e sulmeve, me kusht që Irani të garantojë hapjen e plotë dhe të sigurt të këtij korridori jetik për transportin global të energjisë.
Teherani ka pranuar marrëveshjen, ndërsa media shtetërore iraniane e ka cilësuar vendimin e SHBA-së si një “tërheqje poshtëruese”.
Sipas raportimeve, marrëveshja është arritur edhe falë ndërhyrjeve diplomatike ndërkombëtare, përfshirë rolin e Kinës dhe Pakistanit, ku pritet të zhvillohen negociatat e para direkte mes palëve, që do të nisin të premten në Islamabad.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë të ditur se 15 vende janë mobilizuar për rikthimin e trafikut në Hormuz, ndërsa disa anije kanë nisur tashmë kalimin.
Reagime ka pasur edhe nga liderë të tjerë botërorë. Papa Leo XIV e ka cilësuar armëpushimin si një “shenjë shprese”, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer është angazhuar në rajon për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes.
Megjithatë, situata mbetet e brishtë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se armëpushimi nuk përfshin Libanin, ku përplasjet vijojnë.
Nga ana tjetër, vetë Trump ka paralajmëruar se nëse marrëveshja dështon, konflikti mund të rifillojë.






