Izraeli dhe Hezbollahu e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit mes tyre të enjten, një ditë pasi marrëveshja për armëpushim hyri në fuqi, pas më shumë se një viti luftimesh në Liban.

yacht hotel sarande

Ushtria izraelite tha se armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, u shkel kur “të dyshuarit, disa prej të cilëve në vetura”, u kthyen në disa pjesë të Libanit jugor.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Ligjvënësi nga radhët e Hezbollahut, Hassan Fadlallah, e akuzoi Izraelin për shkeljen e marrëveshjes.

“Armiku ynë, Izraeli, po i sulmon ata që po kthehen në fshatrat kufitarë”, tha Fadlallah për gazetarë, pas një seance parlamentare, duke shtuar se “këto janë shkelje nga ana e Izraelit, edhe në këtë formë”.
Tanket izraelite shtien mbi gjashtë zona brenda brezit kufitar të enjten në mëngjes, duke përfshirë Markaba, Wazzani dhe Kfarchouba, Khiyam, Taybe dhe fushat bujqësore rreth Marjayoun, raportuan mediat shtetërore dhe burime të sigurisë libaneze, raporton Reuters.

Të gjitha këto zona ndodhen brenda dy kilometrave nga Vija e Kaltër, që shënon kufirin midis Libanit dhe Izraelit. Një burim sigurie tha se dy persona u plagosën në Markaba.

Familjet libaneze, të zhvendosura nga shtëpitë e tyre pranë kufirit jugor, kanë tentuar të kthehen për t’i kontrolluar pronat e tyre. Megjithatë, trupat izraelite vazhdojnë të qëndrojnë brenda territorit libanez në qytete përgjatë kufirit. Gazetarët e Reuters dëgjuan dronë vëzhgues që fluturonin mbi pjesë të Libanit jugor.

Ushtria izraelite tha në një komunikatë se “disa persona të dyshuar janë parë duke u kthyer me automjete në disa zona të Libanit jugor, duke shkelur kushtet e armëpushimit”.

Ushtria njoftoi se trupat “hapën zjarr ndaj tyre”.

Marrëveshja për armëpushim i dha fund konfrontimit më vdekjeprurës ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hezbollah ndër vite.
Sulmet izraelite në Liban kanë vrarë të paktën 3.823 persona dhe kanë plagosur 15.859 të tjerë që nga tetori i vitit 2023, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit.

Sulmet e Hezbollahut kanë vrarë 45 civilë në veri të Izraelit dhe në Lartësitë e Golanit të okupuara nga Izraeli. Të paktën 73 ushtarë izraelitë janë vrarë në veri të Izraelit, në Lartësitë e Golanit dhe në përleshje në jug të Libanit, sipas autoriteteve izraelite.

Sipas kushteve të armëpushimit, forcat izraelite kanë kohë deri në 60 ditë për t’u tërhequr nga jugu i Libanit, por asnjëra palë nuk lejohet të nisë operacione sulmuese.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se e ka udhëzuar ushtrinë të mos lejojë banorët të kthehen në fshatrat libaneze pranë kufirit.

Ndërkohë, kryetari i parlamentit të Libanit, Nabih Berri, i cili ishte ndërmjetësi kryesor për Libanin në negociatat për marrëveshjen, tha të mërkurën se banorët mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Armëpushimi përfshin fillimisht ndaljen e luftimeve për dy muaj dhe kërkon që Hezbollahu t’i largojë trupat e armatosura nga Libani jugor, ndërsa trupat izraelite duhet të kthehen në anën e tyre të kufirit.

Mijëra trupa të tjera libaneze dhe paqeruajtëse të OKB-së do të zhvendosen në jug, ndërsa një panel ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do ta mbikëqyrë zbatimin e këtyre kushteve./rel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu